Pas 70 vjetësh, vizita e parë "ad Limina" e ipeshkvijve të Ukrainës. Papa i fton
të nxisin "ekumenizmin e dashurisë"
(01.02.2008 RV)Pas mëse 70 vjetësh,
ipeshkvijtë greko-katolikë të Ukrainës erdhën në vizitë Ad Limina Apostulorum në Vatikan
dhe u takuan sot me Papën Benedikti XVI, i cili i ftoi të promovojnë “ekumenizmin
e dashurisë”, sepse “dialogu i dashurisë ndriçon edhe dialogun e së vërtetës”. Vizita
e fundit nga kisha ukrainase është e vitit 1937. Ipeshkvijtë kryesohen nga kardinali
Ljubomir Husar, kryeipeshkëv i Kievit, i cili i paraqiti Atit të Shenjtë sfidat e
kishës së dalë nga diktatura e gjatë komuniste, si azhornimi sipas Koncilit II të
Vatikanit, ndikimi i kulturës perëndimore të shekullarizuar, drama e emigracionit,
përtëritja shpirtërore, morale dhe strukturore e bashkësive të krishtera dhe vuajtja
për ndarjen e të krishterëve brenda vendit. Kujtojmë se kisha e ritit lindor u shkatërrua
krejtësisht gjatë epokës së Bashkimit Sovjetik, duke iu bashkangjitur ortodoksëve,
të cilët kanë rit të ngjashëm, por nuk e njohin primatin e Papës. Edhe sot ka probleme
për rikthimin e pronave të marra nga regjimi stalinist. Gjithashtu, katolikët në Ukrainë
janë 3 milion, por të ndarë në dy rite e tri kisha: atë të ritit latin, të ritit bizantin
dhe katolikët rutenë të ritit bizantin. Kardinali Husar i kërkoi Papës ta ngrejë rangun
e kishës greko-katolike ukrainase në Patriarkat. Papa i ftoi ipeshkvijtë e Ukrainës
të bashkëpunojnë më ngushtë me njëri-tjetrin e të kujdesen në mënyrë të veçantë për
formimin e meshtarëve: I inkurajoni (meshtarët), të nderuar Vëllezër, në iniciativat
e ndryshme të azhurnimit që të mos ndjekin modën e botës, por t’i ofrojnë shoqërisë
ato përgjigje që vetëm Krishti mund t’i japë… Për këtë duhet një përgatitje e përshtatshme
intelektuale dhe shpirtërore, që presupozon formim të përhershëm, filluar në seminare,
ku është e nevojshme të kujdeseni gjithnjë për disiplinën dhe jetën shpirtërore, e
vazhduar pastaj gjatë viteve të shërbimit meshtarak. Edhe më pas, Ati i Shenjtë
foli për formimin e rregulltarëve dhe të rregulltareve. Është detyrë e ipeshkvijve,
theksoi Papa, t’u kujtojnë atyre besnikërinë ndaj kushteve të varfërisë, pastrisë
dhe bindjes me fe ungjillore, në mënyrë që të japin me të vërtetë atë dëshmi që u
kërkon bota. Benedikti XVI uroi që katolikët e konfesioneve të ndryshme të jenë më
të bashkuar, më në “sintoni zemrash”, siç tha Papa: Jam i sigurtë, se me një
predispozicion të tillë të brendshëm, mund të shërohen më lehtë plagët e keqkuptimeve,
me vetëdijen se të dyja ritet bëjnë pjesë në të njëjtën Bashkësi Katolike… Në këtë
dritë, duket e nevojshme, të nderuar Vëllezër, që të takoheni rregullisht, për shembull
një herë në vit, me Ipeshkvijtë latinë. Përsa i përket dialogut ekumenik me
ortodoksët, Papa vuri në dukje vështirësitë që ekzistojnë, por i ftoi ipeshkvijtë
ukrainas të mos e humbin shpresën. Pastaj një këshillë: Gjithsesi, ajo që duhet
nxitur është ekumenizmi i dashurisë, i cili rrjedh drejtpërdrejt nga Urdhëri i ri
i lënë nga Jezusi për dishepujt e vet. Dashuria e shoqëruar nga gjeste koherente krijon
besim, bën që të hapen zemrat e sytë. Dialogu i dashurisë e i bamirësisë, për natyrën
e vet, nxit dhe ndriçon dialogun e së vërtetës: në fakt, në të vërtetën e plotë do
të realizohet takimi përfundimtar drejt të cilit na udhëheq Shpirti i Krishtit.