2008-01-31 18:11:17

Benedikti XVI në audiencën me Plenaren e Doktrinës së Fesë, duke folur për shkencën, dinjitetin e njeriut, ekumenizmin dhe ungjillëzimin, pohon: “Nuk mund të ketë progres të vërtetë, në se shkenca s’ e respekton dinjitetin e çdo njeriu".


(31.01.2008 RV)RealAudioMP3 Sot, në audiencën me pjesëmarrësit në mbledhjen plenare të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, Benedikti XVI mbajti një fjalim të pasionuar kushtuar Doktrinës së Kishës dhe ekumenizmit, parimeve të ugjillëzimit dhe sfidave të të krishterëve përballë progresit të teknologjive biomjekësore. Papa ripohoi se detyra e pasardhësit të Shën Pjetrit duhet të jetë, në radhë të parë, t’i shërbejë bashkimit në fe.
“Në përpjekjen për formimin e ndërgjegjes së tyre, të krishterët duhet ta kenë mirë parasysh doktrinën e shenjtë e të sigurtë të Kishës, e cila është mësuese e së vërtetës, për vullnet të vetë Krishtit”: Benedikti XVI citoi kështu dokumentin konciliar “Dignitatis Humanae”, për të shpjeguar qëndrimin që duhet të mbajnë besimtarët edhe përballë problemeve të vështira e të ndërlikuara aktuale, krijuar nga bioetika. Magjisteri i Kishës – siguroi Papa - nuk mund e nuk duhet të ndërhyjë në çdo të re të shkencës, por e ka për detyrë t’i ripohojë vlerat e mëdha që vihen në lojë e t’ua propozojë të gjithë njerëzve vullnetmirë parimet etiko-morale.
“Dy kriteret themelore për gjykimin moral në këtë fushë janë¨: a) respektimi i pakushtëzuar i njeriut që nga zënia, deri në vdekjen natyrore; b) respektimi i origjinalitetit të transmetimit të jetës njerëzore, përmes akteve të posaçme të bashkëshortëve”.
Më pas Papa kujtoi se pas botimit, më 1987, të Udhëzimit ‘Donum Vitae’, që i parashtroi këto kritere, shumkush e kritikoi Magjisterin e Kishës, duke e denoncuar si të ishte pengesë për shkencën e për progresin e vërtetë të njerëzimit. Megjithatë - vijoi të reflektonte Ati i Shenjtë – problemet e reja që lidhen me ngrirjen e embrioneve njerëzore, me reduktimin embriona,l me diagnozën para-impiantore, me kërkimet mbi qelizat staminale embrionale e me përpjekjen për klonimin e njeriut, tregojnë qartë se fekondimi artificial jashë trupit njerëzor, shembi pengesën që ishte vënë për të mbrojtur dinjitetin e njeriut:
“Kur qeniet njerëzore në gjendjen më delikate e më të pambrojtur të jetës së tyre përzgjidhen, braktisen, mbyten ose përdoren thjeshtë si material biologjik, si mund të mohosh se ata nuk trajtohen më si të ishin ‘dikush’, por si ‘diçka’, duke vënë kështu në dyshim vetë konceptin e dinjitetit të njeriut”.
Sigurisht – vijoi Ati i Shenjtë – Kisha e vlerëson dhe e inkurajon progresin e shkencave biomjekësore, që i hapin rrugën perspektivave mjekuese, deri tani të panjohura, për shembull, përmes përdorimit të qelizave staminale somatike, mjekimeve për rikthimin e fertilitetit ose mjekimit të sëmundjeve gjenetike. E këtë vlerësim, Papa e shoqëroi me një sqarim për rolin e Kishës:
“Ajo e ka për detyrë t’i ndriçojë ndërgjegjet e të gjithëve, me qëllim që progresi shkencor ta respektojë me të vërtetë çdo qenie njerëzore, së cilës i duhet njohur dinjiteti, duke qenë e krijuar sipas shembëlltyrës së Hyjit, përndryshe nuk do të ishte progres i vërtetë”.
Një pjesë të rëndësishme të fjalimit, Papa ia kushtoi doktrinës së Kishës dhe ungjillëzimit. Benedikti XVI u nis nga dy dokumente, botuar nga Kongregata për Doktrinën e Fesë në vitin 2007. Dokumentet në fjalë përmbajnë saktësimet e nevojshme për zhvillimin korrekt të dialogut ekumenik dhe të dialogut me fetë e me kulturat e botës. Dokumenti i parë mbi disa aspekte rreth Doktrinës së Kishës – pohoi Papa – ripropozon mësimet e Koncilit II të Vatikanit dhe konfirmon se Kisha e Krishtit, që është një dhe e vetme, e ka ekzistencën, vazhdimësinë dhe stabilitetin e vet në Kishën katolike”. Dokumenti – shtoi Benedikti XVI – kujton se duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë ndryshimeve që ekzistojnë akoma ndërmjet konfesioneve të krishtera për kuptimin thjeshtë teologjik të fjalës Kishë.
“Kjo, pa dashur në asnjë mënyrë ta pengojmë impenjimin e vërtetë ekumenik, do të jetë nxitje për ballafaqimin mbi çështjet doktrinore e do të krijojë kushtet të zhvillohet gjithnjë me realizëm e me vetëdijen e plotë se ka ende shumë aspekte, që i ndajnë konfesionet e ndryshme të krishtera. Do të ndikojë edhe në pranimin e gëzueshëm të së vërtetës së fesë, që e praktikojmë bashkarisht, e të nevojës për t’u lutur papushim, që të shpejtojmë hapat drejt një bashkimi më të thellë e më në fund, edhe të plotë, të të krishtarëve".
E më pas Papa shtoi se të kultivosh një vizion teologjik, sipas të cilit Kisha ekzistoka faktikisht në forma të shumta kishtare, që pajtohen vetëm në perspektivën eskatologjike, nuk bën tjetër, veçse çon në ngadalësimin e më pas, edhe në paralizimin e plotë të vetë ekumenizmit. Benedikti XVI vijoi të shprehte mendimin e tij lidhur me “Notën doktrinore mbi disa aspekte të ungjillëzimit”, botuar në dhjetorin e kaluar. Përballë rrezikut të relativizmit ngulmues në dialogun ndërmjet feve e kulturave - vërejti Ati i Shenjtë – Kisha, në kohën e dialogut ndërmjet feve e kulturave, nuk mund të mos e ketë mirë parasysh nevojën e ungjillëzimit dhe të veprimtarisë misionare në gjirin e popujve. Njëkohësisht – vijoi të pohonte Ati i Shenjtë – Kisha nuk pushon kurrë s’i ftuari njerëzit ta pranojnë shëlbimin që u përket mbarë popujve:
“Pranimi i elementeve të vërtetësisë e të mirësisë në fetë e botës dhe i seriozitetit të përpjekjeve të tyre fetare, si dhe takimet e fryma e bashkëpunimit me to për mbrojtjen dhe promovimin e dinjitetit të njeriut e të vlerave morale universale, nuk mund të kuptohet si kufizim i detyrës misionare të Kishës, që e impenjon ta kumtojë vazhdimisht Krishtin si rruga, e vërteta e jeta”.
Para se të fillonte fjalimin, Papën e përshëndeti, në emër të gjithë të pranishëmve, prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinali Uiljam Levada, i cili pohoi edhe se në këtë mbledhje plenare, në përfundim të së cilës mund të botohet një dokument, u shqyrtuan çështjet e bioetikës, në përpjekjen për të gjetur një rrugëzgjidhje bindëse morale, në dritën e parimeve të përgjithshme të antropologjisë së krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.