2008-01-30 18:49:16

Papa në audiencën e tretë të përgjithshme kushtuar Ipeshkvit të Iponës: “Shën Agostini, model ideal për ‘lidhjen ndërmjet fesë e arsyes”.


(30.01.2008 RV)RealAudioMP3 “Model në lidhjen e fesë me arsyen”: ky është shtegtimi intelektual e shpirtëror i Shën Agostinit” – shpjegoi Benedikti XVI sot paradite, gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan. Papa, që do t’i kushtojë edhe një katekizëm të katërt, javën e ardhshme, Atit të madh të Kishës, sot, duke u ndalur tek tema e pendimit, vuri në dukje se Ipeshkvi i Iponës na lë të kuptojmë se kush nuk dëshiron t’i afrohet Hyjit, është kundër vetvetes.
Kërkonte një fe, që të ishte shprehje e arsyes së tij; e etja e thellë për të vërtetën, e largoi, ende të parritur, nga feja katolike, në të cilën e kishte edukuar e ëma - por njëkohësisht e bëri të mos kënaqej me ato filozofi, të cilat nuk e çonin tek vetë e vërteta e ia shpjegonin zotin si hamendje të fundme kozmologjike e jo si Zot që jep jetë. Ky kërkim – shpjegoi Benedikti XVI - e çoi Shën Agostinin, Ipeshkvin e Iponës, Anaba e sotme e Algjerisë – në sintezën ndërmjet fesë e arsyes.
“Këto dy përmasa, fe e arsye, nuk duhet të ndahen nga njëra-tjetra e aq më pak, t’i kundërvihen njëra-tjetrës, por duhet të shkojnë krah për krah. Siç shkroi pak kohë pas kthesës së tij, vetë Shën Agostini në veprën ‘Contra Academicos”, fe e arsye janë dy forca që na çojnë tek njohja e Hyjit”.
“Beso për të kuptuar” e “kupto për të besuar”: janë dy formulat agostiniane, që përmbledhin pikëarritjen e Atit të Kishës, i cili jetoi ndërmjet shekullit të katërt e të pestë.
“Besimi të hap udhën për të hyrë në portat e së vërtetës… por edhe për ta kuptuar e për ta shikuar të vërtetën, dmth për të gjetur kështu Zotin e për të besuar”.
Harmonia ndërmjet fesë e arsyes – vijoi Papa - na bind sidomos se Hyji nuk është larg, përkundrazi, është fare pranë çdo njeriu; është sa pranë zemrës, aq edhe pranë arsyes së tij:
Prania e Hyjit tek njeriu, e thellë e njëkohësisht misterioze, mund të njihet e të zbulohet vetëm në thellësinë e shpirtit. “Mos dil jashtë vetvetes – pohon Agostini – por kthehu tek vetvetja; në thellësitë e vetvetes banon e vërteta; e në se mendon se natyra jote është e ndryshueshme, dil përmbi vetveten… syno të arrish atje ku ndizet drita e arsyes. Pikërisht ashtu si thekson ai vetë… në krye të ‘Confessiones’ (Rrëfimet), autobiografia e tij shpirtërore: ‘Na bëre për vete e zemra jonë mund të gjejë paqe vetëm kur të pushojë në Ty’. Atëherë mund të themi se largimi nga Hyji është largim nga vevetja”.
Më pas Papa kujtoi reflektimet e mëdha të Shën Agostinit mbi jetën, duke nënvizuar posaçërisht shkrimet e Ipeshkvit të Iponës për njeriun:
“Njeriu është një enigmë e madhe, është një greminë e thellë, enigmë e greminë që vetëm Krishti mund ta ndriçojë e ta shpëtojë. Ka rëndësi ta dijë se kur është larg Hyjit, është edhe larg vetvetes, është kundër vetvetes e mund ta gjejë përsëri vetveten vetëm duke u takuar me Hyjin. Kështu arrin edhe tek vetvetja, tek uni i tij i vërtetë, tek identiteti i tij”.
“Njeriu është qenie shoqërore për natyrë, por antishoqërore për ves” - lexojmë në veprën e Shën Agostinit ‘Qyteti i Hyjit’. E këtë e vërejmë edhe sot - tha Papa - duke theksuar atë që vë në dukje Ati i Kishës, dmth, se është Krishti ai që e shpëton njeriun, Ai, i vetmi që mund të ndërmjetësojë për njerëzimin pranë Hyjit. Papa foli edhe për konceptin e Kishës në vizionin agostinian, që e quan Krishtin krye e ne, gjymtyrë të Tij: një Korp i vetëm, pra, ‘Populli i Hyjit e shtëpia e Hyjit’. E kujtojmë se pikërisht kësaj teme i riu Jozef Racinger, në vitin 1953, i kushtoi tezën e doktoratit në teologji.
Benedikti XVI e përfundoi audiencën duke kujtuar Letrën Apostolike të Gjon Palit II kushtuar Shën Agostinit “Augustinum Hipponensem” shkruar në vitin 1986, me rastin e gjashtëqind vjetorit të kthesës së Shenjtit. Për Papën Vojtila, Agostini i mëson njeriut të sotëm se shpresa për ta gjetur të vërtetën ekziston.
Benedikti XVI u drejtoi një përshëndetje të veçantë ipeshkvijve të ardhur në Romë me rastin e 40-vjetorit të themelimit të Bashkësisë së Shën Egjidit dhe i nxiti të rinjtë të ecin në gjurmët e Shën Gjon Boskut, festa e të cilit bie nesër, duke e parë si mësues të vërtetë jete.








All the contents on this site are copyrighted ©.