2008-01-30 17:46:15

Në Kenia fillon dialogu, por nuk ndalet dhuna


(30.01.2008 RV)RealAudioMP3 Gjithnjë e më kritike gjendja në Kenia, pas dhunës që shpërtheu me rizgjedhjen e presidentit Kibaki në dhjetor. Sipas burimeve nga Nairobi, policia ka urdhër të qëllojë për të ndaluar ndeshjet me opozitën. Në planin humanitar, emergjenca është gjithnjë e më e dukshme. Sipas Unicefit, 100 mijë fëmijë janë larguar nga shtëpitë e tyre, vetëm ose me familjen. Vazhdon ndërkaq, ndërmjetësimi i ish-sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan për zgjidhjen e krizës. Të dëgjojmë dëshminë e atë Xhuzepe Karamacës, misionar kombonian, prej 16 vjetësh në Kenia:
Ndeshjet politike kanë shkaktuar dhunë tjetër, që etiketohet si etnike, por që ndoshta duhet ta quajmë “dhunë sipas interesit personal”. Disa grupe duan të përzenë etninë Kikujo dhe etni të tjera nga Rift Valei, për t’u marrë atyre tokën. Këto grupe duan të zbatojnë një rregull që donte ta impononte opozita, të ashtuquajturën “maxhimbo”, apo rajonalizimin e Kenias. Ata nuk e kanë kuptuar këtë si vendosjen e autonomive lokale, por si një parim, sipas të cilit etnia lokale ka të drejtë të përdorë të gjitha pasuritë e vendit dhe të largojë me forcë etnitë e tjera.
Cili është qëndrimi i Kishës Katolike?
Natyrisht, Kisha Katolike e ka refuzuar gjithmonë një gjë të tillë, ka punuar shumë, nëpërmjet komiteteve të drejtësisë e të paqes për të pajtuar etnitë e Rift Valeit. Por tani, gjendja na ka ikur nga dora. Nëse më parë qëllimi ishte dialogu, tani duhet risjellë fillimisht paqja, pastaj duhet punuar për dialogun.







All the contents on this site are copyrighted ©.