2008-01-30 17:49:17

Në Itali, Marini do ta udhëheqë vendin pas Prodit, deri në zgjedhjet e reja


(30.01.2008 RV)Delegacioni i Hamasit nga Rripi i Gazës ishte sot i ftuar në një takim në Kajro, organizuar nga autoritetet egjiptiane, të cilat duan të mbyllin kufirin me territorin palestinez, hapur me forcë ditët e kaluara. Sot është kërkuar hapja e kalimit zyrtar kufitar të Rafahut. Pikërisht në Kajro, ku është takuar me presidentin egjiptian Hosni Mubarak, presidenti palestinez Abu Mazen deklaroi se nuk do të ketë asnjë lloj dialogu me Hamasin, konsideruar prej tij si parti e paligjshme. Hamasi duhet të heqë dorë nga grushti i shtetit në Rripin e Gazës, të pranojë zgjedhje të parakohshme dhe të respektojë rezolutat ndërkombëtare: këto janë kushtet e Abu Mazenit.
Ndërkaq, Gjykata e Lartë e Izraelit u shpreh sot se ndërprerja e furnizimit me karburant dhe elektricitet për Rripin e Gazës është e ligjshme, nëse nuk keqësohet gjendja humanitare e popullsisë. Praktikisht autorizohen ndërprerjet.

Në Itali, presidenti Xhorxho Napolitano thirri sot presidentin e Senatit, Franko Marini për t’i dhënë të ashtuquajturën “detyrë paraprake” për formimin e një qeverie që duhet të ndryshojë ligjin elektoral dhe ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, pas rënies së qeverisë së Romano Prodit.
Kjo detyrë përbën një formë të përdorur rallë në politikën italiane, pasi është diku në mes të mandatit eksplorativ nga njëra anë, që do ta lejonte Marinin të shihte nëse mund të krijohej një qeverie re me mbështetjen e parlamentit dhe një mandati si kryeministër nga ana tjetër, me të cilin Marini do të paraqitej me një qeveri të vetën për votëbesimin në parlament.

Vazhdojnë primaret në SHBA-të, për të përcaktuar kandidatët që do të ndeshen në garën për president. Në Florida fiton senatori MekKein për republikanët dhe Hilari Klinton për demokratët, por lajmi më i rëndësishëm është se del nga skena ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, italo-amerikani Rudi Xhuliani. Duket se për amerikanët, problemi kryesor nuk është më ai i sigurisë, mbi të cilin Xhuliani kishte ndërtuar krejt fushatën elektorale.







All the contents on this site are copyrighted ©.