2008-01-30 18:50:04

60 vjet më parë vdiste ‘Mahatma’ Ghandi, profet i rezistencës paqësore dhe i tolerancës.


(30.01.2008 RV)RealAudioMP3 Pikërisht 60 vjet më parë, më 30 janar 1948, vdiste, i vrarë nga një fanatik, ‘Mahatma’ Ghandi, themelues i mospërdorimit të dhunës e atë i pavarësisë indiane. Ia kushtoi gjithë jetën betejës politike kundër izolimit racor. Idealet e tij bazoheshin mbi tri pika kryesore: vetvendosje e popujve, mospërdorim i dhunës dhe tolerancë fetare.
“T’i përgjigjemi së keqes me të mirën” – përsëriste gjithnjë Prijësi i madh i Indisë. Ky ishte parimi bazë i gjithë jetës së tij. Jo rastësisht Mohandas Karamçard Gandhi u mbiquajt ‘Mahatma’, që në sanskritisht do të thotë “Shpirt i Madh”. Këtë epitet për të e përdori për herë të parë poeti i famshëm indian, Tagora. E s’kishte asnjë epitet tjetër që mund t’i shkonte më për shtat themeluesit të moskundërshtimit të së keqes me forcë e atit të pavarësisë indiane.
Ghandi lindi në Portbandar të Indisë, më 2 tetor 1869. U bë avokat, pasi u diplomua në Londër. Ushtroi përkohësisht avokaturën në Bombei e më pas, në vitin 1893, shkoi në Afrikën e Jugut për punë. Atje filloi rrugën e luftës kundër çdo forme të izolimit racor. Më 1906 filloi betejën për njohjen e të drejtave të bashkatdhetarëve, duke përhapur masivisht metodën e tij të rezistencës pa dhunë. Rezultatet nuk do të vononin; qeveria jugafrikane nisi të vërë në jetë reforma të rëndësishme.
Ja si e kujton Mikelgulielm Torri, pedagog i historisë bashkëkohore të Azisë, pranë universitetit të Torinos:“Ghandi ishte profet i mospërdorimit të dhunës, por duhet theksuar se mospërdorimin e dhunës ai e shikonte si luftë; luftë kundër së keqes, dmth qëndrim aktiv, sfidë kundër çdo lloj regjimi etikisht të padenjë. Kështu ai u bë ikonë për Indinë, njeri i admiruar, i shikuar si simbol i Indisë së re, por fatkeqësisht duhet thënë se sot idealet e tij nuk ndiqen aq sa duhet në Indi e në botë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.