2008-01-29 18:50:13

Mesazhi papnor për Krezhëm: “Të zbulohet Krishti ndër të varfërit, përmes lëmoshës së bërë në fshehtësi e pa mburrje”.


(29.01.2008 RV)Të praktikosh lëmoshën bujarisht e fshehurazi, duke mësuar ta njohësh Krishtin ndër të varfërit, për t’i kremtuar Pashkët me shpirt të përtërirë. Këtë propozon Benedikti XVI në Mesazhin e tij për Krezhëmt e këtij vitit, që fillojnë më 6 shkurtin e ardhshëm, me të Mërkurën e Përhime. Mesazhi e merr titullin nga një fragment i Letrës së Shën Palit drejtuar Korintianëve: “Krishti u bë i varfër për ju”.
Një nga temat themelore të Magjisterit të Papës Benedikti XVI na kujton se krishtërimi nuk është teori. Është Realitet, Shëlbues, Përkryes.
Me këtë sy e shikon Papa procesin e përtëritjes shpirtërore, për të cilën të krishterët janë të thirrur në kohën e Krezhmëve, kohë lutjeje, agjërimi e lëmoshe.
Mesazhi përbëhet nga gjashtë paragrafë:
Në paragrafin e parë theksohet se Krezhmët janë kohë, gjatë së cilës duhet të përpiqemi ta kuptojmë më thellë ç’do të thotë të jesh i krishterë. Kohë për të rizbuluar mëshirën e Hyjit, rizbulim që na shtyn të bëhemi edhe ne të mëshirshëm për vëllezërit tanë, të çlirohemi nga lidhja me të mirat e kësaj bote, duke ecur në gjurmët e Jezusit, që thotë: “Nuk mund t’i shërbeni edhe Zotit edhe parasë”.
Hapat konkrete që duhet të bëjmë janë lutja, agjërimi e lëmosha. Papa ndalet në mënyrë të veçantë tek lëmosha, si formë konkrete për t’i ndihmuar njerëzit që kanë nevojë. Lëmosha na bën të mos i vlerësojmë mbi gjithçka të mirat materiale, të mos i shikojmë si idhuj e kështu të mos ngurrojmë, kur është fjala për ta ndarë me të tjerët, atë që na ka dhuruar Hyji me mirësinë e tij.
Paragrafi i dytë thekson se të mirat materiale që kemi, nuk duhen shikuar vetëm si prona jonë: kanë vlerë shoqërore, sipas parimit të destinacionit të tyre universal, (Katekizmi i Kishës Katolike, n, 2404).
“Në se ndonjëri ka pasuri të kësaj bote e, duke i parë vëllezërit e vet në nevojë, ua mbyll zemrën, si mund të banojë në të dashuria e Hyjit? (1 Gjn. 3, 17). Në vendet me popullsi kryesisht të krishterë, kjo thirrje për t’i ndarë pasuritë së bashku me shumicat që vuajnë, sepse janë të varfër e të braktisur, merr një kuptim të veçantë. Është detyrë drejtësie, para se të jetë bamirësi.
Paragrafi i tretë shpjegon se lëmosha ungjillore nuk është thjesht filantropi; nuk duhet të jetë as përpjekje tinzare për të kërkuar interesin personal dhe admirimin e të tjerëve, aq më pak mjet për të vënë në dukje vetveten. Vendimi i sinqertë për të ndihmuar të afërmin duhet të merret në mënyrë të fshehtë, sipas shembullit të Jezu Krishtit i cili, duke vdekur në kryq, na dhuroi gjithë vetveten. Prandaj gjithçka duhet bërë për lavdinë e Hyjit, jo tonën. Në shoqërinë që e vlerëson më shumë dukjen sesa qenien - vëren Benedikti XVI – duhet të ruhemi fort nga një tundim i tillë, i gjithëpranishëm. E Papa i falënderon të gjithë ata që, larg dritave verbuese të shoqërisë mediatike, dhurojnë në heshtje, pa u mburrur, me vetëdijen se gjithçka jep, Zoti ta rikthen me paqë, kënaqësi shpirtërore e gëzim të përkryer.
Në Paragrafin e katërt flitet për lidhjen ndërmjet Hyjit e të tjerëve. Shpjegohet se lëmosha, duke na afruar me të tjerët, na bën t’i afrohemi Hyjit e të bëhemi mjet i kthesës dhe i pajtimit me Të e me vëllezërit. Ajo i kalon përmasat materiale dhe shpreh të vërtetën mbi qenien tonë: na kujton se nuk jemi krijuar për vetveten, por për Hyjin e për vëllezërit (cfr 2. Kor. 5, 15). Lëmosha na bën të provojmë se përkryerja e jetës buron nga dashuria e çon në pajtimin me Hyjin, sepse ‘dashuria mbulon një mori mëkatesh’ (1 Pt 4,8).
Paragrafi i pestë i kushtohet praktikës krezhmore të lëmoshës, duke e parë si mjet për të thelluar thirrjen tonë të krishterë. Dashuria frymëzon forma të ndryshme dhurimi, sipas mundësive e kushteve të secilit, duke e bërë dhuratë krejt jetën tonë.
Paragrafi i gjashtë na fton të ecim gjithnjë në rrugën e dashurisë së krishterë e të shikojmë në të varfërit vetë Jezusin, në sa përpiqemi, si individë e si bashkësi, të bëhemi një me Krishtin, në emrin e të cilit gjendet jeta e vërtetë, e të jemi dëshmitarë të dashurisë së Tij.
Lëmosha – lexojmë akoma në Mesazh – e edukon njeriun me bujari e mirësi. Shën Jozef Benedikt Kotolengo porosiste: “Mos i numëroni kurrë paratë që jepni: në se kur jep lëmoshë, dora e majtë nuk duhet ta dijë ç’bën e djathta, as vetë dora e djathtë nuk duhet ta dijë ç’ka dhënë e ç’ka bërë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.