Imzot Klaudio Çeli: “Çasti më i fortë i përgatitjes për Krezhëm, është ai që jetova
në Shqipëri më 1991”.
(29.01.2008 RV)Duke folur të shtunën
e kaluar në Grotaferrata, pranë Romës, në paraqitjen e librit “Dy vëllezër martirë”,
të rregulltares baziliane, Elena Lulashi, imzot Klaudio Maria Çeli, Kryetar i Këshillit
Papnor të Komunikimeve Shoqërore, pohoi se çasti më i fortë i përgatitjes së tij
për Krezhëm, ishte ai që jetoi në Shqipëri më 1991. Ja si e kujtoi këtë çast
Imzot Çeli, 17 vjet më vonë, në atmosferën e Krezhëmve 2008: “Sonte
duhet t’ju shpjegoj pse pranova të vij këtu e, kush më ftoi, e di se përgjigja ime
ishte menjëherë pozitive. E kjo, sepse vizita që bëra në Shqipëri më 1991 ishte një
përvojë e paharrueshme. Jemi akoma në periudhën e regjimit të vjetër. Na kishte ftuar
qeveria e më takoi mua, që asokohet isha zëvendës-sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet
me jashtë, të nisem në Tiranë për të biseduar me autoritetet. Ishte data 20 mars 1991.
Emocionant çasti kur avioni preku tokën në aeroportin e Tiranës, që nuk quhej akoma
Nënë Tereza, sepse Nënë Tereza ishte gjallë e kishte dalë të na priste. Së bashku
me ministrin e jashtëm të Shqipërisë. E filluam kështu këtë vizitë në Shqipëri.
Kisha për detyrë të dialogoja me qeverinë, por kryesisht të shikoja me sytë e mi,
si përfaqësues i Selisë së Shenjtë e i Papës – ç’kishte shpëtuar pas viteve të gjata
të persekutimit që pësoi Kisha shqiptare. Gjëja e parë që bëmë, ishte nisja për Shkodër.
Emocion i paharrueshëm. Gjetëm të vetmin ipeshkëv që kishte mbetur ende gjallë dhe
11 meshtarë, në një gjendje të vajtueshme fizike: të sëmurë, mes vështirësish të pabesueshme.
U takuam. Së pari fola me të gjithë së bashku, pastaj me ipeshkvin e pastaj 15 minuta
me secilin, një për një. Dëgjova histori të dhimbshme, histori vuajtjesh të tmerrshme,
por edhe histori dëshmish të ndritshme, histori martirizimi; e kujtoj se martirizim
do të thotë pikërisht dëshmim. Më pyetën: “Ç’dëshironi të bëni pasdite?”. U përgjigja
se dëshiroja të kremtoja Meshën Shenjte, në Katedralen që ishte kthyer në pallat sporti.
Natyrisht që nuk kishte lter, e anët ishin zënë me shkallë prej betoni. Ata u përgjigjën:
“Po njerëzit nuk dinë gja për këtë Meshë”. E unë: “Përpiquni, pra, ta përhapni lajmin
në të gjithë qytetin!”. E nuk mund ta përfytyroni ç’ndodhi: kisha u mbush aq, sa nuk
mund të zinte më asnjë njeri. Meshtarët nuk ishin në gjendje të bashkëkremtonin. Atëherë
më thanë: më mirë po shohim Meshë. E unë e fillova kremtimin me një përkthyes. Kështu
më duhej të ndalohesha çdo minut e të prisja që përkthyesi të shqipëronte fjalët e
mia. Isha ende në fillim, kur besimtarët nisën të bërtisnin: italisht, italisht!
Ishin detyruar ta mësonin sadopak italishten, për të marrë vesh, fshehurazi, përmes
mjeteve të komunikimit, edhe ato të ndaluara, ç’bëhej në botën e krishterë e, sidomos,
për të ndjekur Papën. Para se të fillonte Mesha, hyri në Kishë monsinjor Koliqi.
Ishte vikari i përgjithshëm, që kishte shpëtuar gjallë nga persekutimi: fizikisht
i shkatërruar, por tmerrësisht i gjallë e i fuqishëm në shpirt. Hyri në Kishë i
mbajtur për krahësh nga dy të rinj. Figurë interesante, emocionuese. Madje fjala interesante
nuk mjafton për të shprehur atë që ndjemë të gjithë atë ças, sepse ishte një pamje
e papërshkrueshme. Më tha: “Unë nuk dal ma prej shtëpie, por kur më thanë se ju jeni
këtu, e ndjeva për detyrë të isha i pranishëm, në një ças kaq të pritun, kur përfaqësuesi
i Papës asht mes nesh! Fillova homelinë. E kujtoj akoma, sepse më dilte nga zemra,
pa patur nevojë fare për përgatitje. E, me që ishte data 21 mars, shqiptova fjalët:
“Dimri po shkon! Sot fillon pranvera!” E njerëzit qanin me lot për faqe. Kujtoj
se për mua ky ishte çasti më i fortë i përgatitjes sime për Krezhëm, sepse prekej
me dorë besnikëria e këtyre njerëzve për Krishtin Zot e për Kishën e Tij. Më falni
në se emocionohem përsëri nga ky kujtim, që mbeti i pashlyer në zemrën time. Njerëzit
më shtrëngonin dorën e më thoshin: “Kur të ktheheni në Romë, mos harroni t’i thoni
Papës se i kemi qëndruar besnikë”. E libri që po paraqesim sonte, flet pikërisht për
një pjesë të rrugës që bëri ky popull, për vuajtjen e këtij populli e sidomos, për
dëshminë e shkëlqyer të tij. Pastaj u kthyem në Tiranë. Udhëtonim me një makinë
të vjetër të qeverisë e, në sa kalonim rrugës, kishte nga ata që më përshëndetnin
duke ngritur grushtin. S’më kishte ndodhur kurrë të më përshëndetnin në këtë mënyrë!
Ndërsa të rinjtë ngrinin lart dy gishtrinj në formë v-je, për të uruar fitoren.Me
këtë urim u riktheva në Romë për t’i treguar Papës ç’kisha parë e ç’ kisha dëgjuar
në Vendin e rrethuar ende nga perdja e hekurt, në shembje e sipër.