2008-01-29 19:03:16

Amnesti kërkon të dënohen krimet e kryera në Kosovë


(29.01.2008 RV)Ndërsa Bashkimi Evropian përgatitet të shkojë me një mision në Kosovë, organizata Amnesti Interneshënëll (Amnesty International) kërkon që krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit të kryera në Kosovë të mos lihen pa u dënuar.
“Shtatë vjet nga fillimi i përpjekjeve të OKB-së për të riformuar sistemin gjyqësor kosovar, qindra raste krimesh lufte dhe kundër njerëzimit (ku përfshihen edhe përdhunime dhe zhdukje me dhunë) kanë mbetur pa u dënuar – denoncon Amnesti në një raport. Farefisi i disa prej viktimave është dëgjuar mëse një herë nga policia lokale dhe ndërkombëtare, por edhe sot nuk shohim përparime në procedura”.
Një delegacion i organizatës ka qenë në Kosovë në nëntor e dhjetor 2007 dhe ka vënë në dukje se proceset vonohen për mungesën e gjykatësve dhe magjistratëve ndërkombëtarë, për punën e shumtë të mbetur nga e kaluara, për mungesën e sistemit të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe për mungesën e shërbimeve ndaj viktimave të krimeve me natyrë seksuale.
Raporti i sotëm rekomandon një sërë reformash thelbësore, të cilat parashikojnë forcimin e bashkëpunimit ndërmjet personelit gjyqësor ndërkombëtar dhe atij vendor.







All the contents on this site are copyrighted ©.