2008-01-29 18:50:51

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(29.01.2008 RV)RealAudioMP3 29 janar: Martini legjionar, vetmitar, ipeshkëv.
Duke ecur nëpër rrugët e shkreta të Amiensit, qytet në veri të Galisë, Martini takon një lypës që endet duke u dridhur nga e ftohta. E sheh ashtu të zhveshur, i dhemb zemra e nuk mundet as të hapë gojën për t’i thënë një fjalë ngushëlluese. E si mund ta ngushëllosh një njeri që dridhet i tëri? Në heshtje heq mantelin e ngrohtë prej leshi, që e mbulon fund e krye, e ndan më dysh me shpatë e, si ulet nga kali, e mbështjell me dashuri të panjohurin gjysëm të ngrirë. Kthehet, pastaj, në kazermë, e bie në gjumë të thellë. Sheh në ëndërr Jezu Krishtin, me pamjen e lypësit të ngrirë. E Krishti i thotë: “Ti Martin, që je ende katekumen, më mbulove me mantelin tënd!”.
Jemi në vitin 334 e Martini është vetëm 20 vjeç. Ka hyrë në radhët e ushtrisë romake si legjionar. Vjen nga Panonia, Hungaria e sotme, e përgatitet të marrë Pagëzimin. E në sa përgatitet për Sakramentin e parë të krishterë, vijon të kujtojë ëndrrën që pa, pas takimit me lypësin. Me atë ëndërr Jezusi i tregoi Martinit, para se të pagëzohej, ç’duhet të bëjë i krishteri. Martini e ka plotësisht të qartë: t’i duash të varfërit, është njëlloj si të duash vetë Jezusin!
Vendos menjëherë të marrë Pagëzimin e pastaj, si të kryejë shërbimin ushtarak, pas njëzet vjetësh, t’ia dhurojë gjithë jetën Jezusit.
E kështu edhe ndodh. Në moshën dyzetvjeçare Martini nis të jetojë si vetmitar, duke u lutur e duke agjëruar. Zë vend në Ligyzhè, pranë Puatjesë. Por banorët e Turs, qytet që ndodhet njëqind kilometra larg eremitazhit, shprehin dëshirën të bëhet ipeshkvi i tyre. Martini ngurron. I pëlqen shumë më tepër të vijojë jetën vetmitare. Po ata ia mbushin mendjen e vetmitari bëhet ipeshkëv.
Edhe pasi bëhet ipeshkëv i Turs, Martinin vijon ta tërheqë jeta vetmitare. Vendoset në një kasolle të ndërtuar me degë pemësh, larg qytetit e aty, së bashku me dishepujt që nisin ta ndjekin, themelon kuvendin e Marmytier.
Krishtërimi është përhapur tashmë në të gjitha qytetet e Galisë. Martini dëshiron të ungjillëzojë fshatrat, duke e përhapur në të katër anët e vendit Lajmin e Mirë të Krishtit. Nuk ngurron t’i kundërvihet me të gjitha forcat paganizmit: rrënon tempujt e shtatoret, dënon kultet kushtuar hyjnive keltike e romake. Ashpërsia e tij shpesh herë i çudit njerëzit që e rrethojnë, të cilët nuk pushojnë s’e pyeturi: “Ti predikon një Zot që është dashuri e pastaj vjen e rrënon tempujt tonë?”.
“Zotat tuaj prej guri e prej druri janë të pagojë e nuk interesohen për njerëzit. Hyji i Jezusit ju jep mundësi të ndryshoni jetën, t’i shikoni ata që ju rrethojnë e t’i doni. Nuk duhet humbur kohë” – përgjigjet ipeshkvi shenjt.Martini përshkon mbarë Galinë e në shumë vende mbeten ende të pashlyera gjurmët e tij. Prandaj shumë vise të Francës quhen ‘Shën Martin’ e shumë njerëz, Martin!







All the contents on this site are copyrighted ©.