2008-01-28 17:51:29

Tension i lartë në Bejrut pas ndeshjeve të djeshme


(28.01.2008 RV)Bejruti u zgjua sot në një qetësi të ngarkuar me tension, pas ndeshjeve të djeshme ndërmjet opozitës shiite dhe ushtrisë, në të cilat mbetën të vrarë tetë vetë. Ndeshjet u zhvilluan në të njëjtën kohë me mbledhjen e Lidhjes Arabe në Kajro, e cila diskutonte pikërisht për çështjen e Libanit. Sot paradite, punimet përfunduan me një tjetër thirrje që mazhoranca dhe opozita të merren vesh për zgjedhjen e presidentit. Senaca e ardhshme parlamentare libaneze është caktuar më 11 shkurt. Për rolin e Lidhjes Arabe na flet jezuiti Samir Khalil Samir:
Lidhja Arabe po përpiqet të gjejë një zgjidhje. Për botën arabe, Libani është thelbësor. Është modeli i një shoqërie jo të përkryer, por që përpiqet të gjejë një zgjidhje të pranueshme për një vend me shumë kultura, zgjidhje që mund t’u shërbejë edhe vendeve të tjera. Kriza vjen nga një kontrast tepër i fortë. Nga njëra anë popullsia thotë: “Mjaft me këtë qeveri tepër të lidhur me Perëndimin e me paratë. Duam të ndryshojmë gjërat”. Nga ana tjetër, qeveria e konsideron veten të ligjshme, si në të gjitha vendet ku ekziston një mazhorancë dhe një opozitë. Lidhja Arabe po përpiqet t’i afrojë pikpamjet dhe të gjejë një zgjidhje. Në këtë situatë, edhe të krishterët ofrojnë një shembull për t’u ndjekur. Nga njëra anë, gjenden si në qeveri, ashtu edhe në opozitë, gati njëlloj. Nga ana tjetër, ofrojnë shërbime, si në shkolla, në fushën shoqërore, jo vetëm për bashkësinë e krishterë. Spitalet e krishtera janë si për të krishterët, ashtu edhe për myslimanët.







All the contents on this site are copyrighted ©.