2008-01-28 17:52:05

Kardinali Mikel Koliqi në 11-vjetorin e vdekjes: në mikrofonin tonë, imzot Çeli.


(28.01.2008 RV)RealAudioMP3 Kanë kaluar njëmbëdhjetë vjet, që kur kardinali Koliqi mbylli sytë për dritën e kësaj bote. Po e kujtojmë sot me fjalët e imzot Klaudio Maria Çelit, Kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, shqiptuar të shtunën e kaluar në Grotaferrata, pranë Romës, në paraqitjen e librit “Dy vëllezër martirë”, kushtuar jetës, veprës e martirizimit të dy vëllezërve: atë Marin e don Aleksandër Sirdani, shkruar nga rregulltarja baziliane, motra Elena Lulashi.
I zgjodhëm pikërisht këto fjalë, për të nënvizuar se figura si ajo e Kardinalit Koliqi, mbeten përgjithnjë në kujtesën e njerëzve, si simbol i gjakut të martirëve, derdhur nga diktatura komuniste në Shqipëri.
Ja si e kujtoi Imzot Çeli, vetëm dy ditë më parë, në sa përshkruante Meshën e kremtuar në Katedralen e Shkodrës, më 21 mars 1991:
“Sapo e kishim filluar Meshën, kur hyri në Kishë monsinjor Koliqi. Ishte vikari i përgjithshëm, që kishte shpëtuar gjallë nga persekutimi: fizikisht i shkatërruar, por tmerrësisht i gjallë e i fuqishëm në shpirt.
Hyri në Kishë i mbajtur për krahësh nga dy të rinj. Figurë interesante, emocionuese. Madje fjala interesante nuk mjafton për të shprehur atë që ndjemë të gjithë atë ças, sepse ishte një pamje e papërshkrueshme. Më tha: “Unë nuk dal ma prej shtëpie, por kur më thanë se ju jeni këtu, e ndjeva për detyrë të isha i pranishëm, në një ças kaq të pritun, kur përfaqësuesi i Papës asht mes nesh!
Fillova homelinë. E kujtoj akoma, sepse më delte nga zemra, pa patur nevojë fare për përgatitje. E, me që ishte data 21 mars, shqiptova fjalët: “Dimri po shkon! Sot fillon pranvera!”.
E, në sa vijon të ndjehet fort atmosfera e Enciklikës së Shpresës - ‘Spe salvi’, të Benediktit XVI, zgjodhëm, nga arkivi ynë, pikërisht ftesën për të shpresuar, që Kardinali Koliqi vijon t’ia bëjë popullit shqiptar 11 vjet pas vdekjes:

Një jetë kushtuar Zotit, në një kohë kur ky përkushtim paguhej me jetë:
Nuk është e thjeshtë të përmbledhësh me pak fjalë jetën e kardinalit Koliqi, një nga figurat më poliedrike në historinë e Shqipërisë.
Mikel Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për t'i vijuar studimet në Milano të Italisë, ku edhe u diplomua në degën e inxhinierisë mekanike, në Politeknikumin e Milanos. Ishte në moshë të pjekur, kur ndjeu thirrjen për rrugën meshtarake, thirrje që e kurorëzoi duke u shuguruar meshtar më 30 maj 1931. U kthye menjëherë në Atdhé dhe nisi shërbimin, më parë si ndihmës-famullitar, e pastaj si famullitar i katedrales së Shkodrës. U shqua edhe për veprimtarinë e tij muzikore e publicistike. Muzikoi melodramat e para në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Dom Ndré Zadejën. Qe kryeredaktor i revistës "Kumbona e së Dieles". Gjatë regjimit komunist u burgos tri herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie.
Ati i Shenjtë Gjon Pali II e emëroi prelat nderi në janar 1992, e takoi personalisht gjatë vizitës së tij në Shqipëri, më 25 prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994.
Menjëherë pas fillimit të proceseve demokratike, kardinali Koliqi u nderua së pari me titullin "Pishtar i demokracisë", më pas me titullin "Nënë Tereza" dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me titullin më të lartë "Nderi i Kombit". Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997 U përpoqëm të përmbledhim në pak rreshta një jetë, për të cilën mund e duhet të shkruhen shumë libra; një jetë që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë të jashtzakonshme, së cilës deri tani i është kushtuar vetëm libri "Mikel Koliqi", shkruar nga kushëriri i tij, Gjon Simoni.







All the contents on this site are copyrighted ©.