2008-01-28 17:48:45

BE-Serbi: Hollanda bllokon marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit


(28.01.2008 RV)Nënshkrimi i marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë shtyhet. Krerët evropianë të diplomacisë, të mbledhur në Bruksel për Komisionin e Punëve të Jashtme, nuk vendosën sot asgjë të re, në pritje të ballotazhit të 3 shkurtit ndërmjet kandidatit europeist për president, Boris Tadiç dhe ultranacionalistit Tomisllav Nikoliç.
Gjithsesi, siç deklaroi ministri i jashtëm gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer, Brukseli vazhdon ta mbështesë integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Vendimtar, qëndrimi i Hollandës, e cila është gati të përdorë veton, nëse në momentin e nënshkrimin të Marrëveshjes, Beogradi nuk ka dhënë prova për bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës. Por gjithnjë Shtajnmajer theksoi se kjo është një kërkesë e të 27-të shteteve dhe se “evropianët duhet të jenë të bashkuar dhe duhet të kenë kujdes në deklaratat e tyre publike”.

Për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun “e ardhmja e Kosovës është mbi të gjitha problem evropian, por kjo nuk përjashton interesin e OKB-së për zhvillimet në zonë”.
Pas takimit me presidentin e Sllovakisë, Ivan Gasparoviç në Bratislavë, Ban Ki-Mun sqaroi se OKB-ja do të impenjohet për të shmangur humbjen e jetëve njerëzore. Së shpejti, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë për Kosovën me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të vendeve ballkanike, në mënyrë që OKB-ja të ndërmarrë “disa hapa të veta” në zonë. Ban Ki-Mun nuk dha detaje për hapat në fjalë.







All the contents on this site are copyrighted ©.