365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(28.01.2008)28 janar: Bazilika
e Shën Pjetrit në Romë, peshtaf për varrin e Shën Pjetrit. “Shkandull; shkandull!”
– këlthet turma e tubuar tek këmbët e kodrës së Vatikanit. “Turp e marre! Lerini
të flejnë në paqe të vdekurit tanë!”. Që prej një jave një grup romakësh të tërbuar
vjen çdo ditë në këtë vend për të manifestuar para portës së kantierit. Kërkojnë t’u
jepet fund këtyre punimeve, të cilat për ta janë të turpshme. Pak metra larg ushtarëve,
që ruajnë kantierin, romakët shfrejnë gjithë inatin që u zjen përbrenda. “Këtu
kam varrosur gjithë të afërmit! – ankohet një burrë i moshuar. Bleva një copë truall
edhe për vete, sepse dua të pushoj përgjithmonë pranë njerëzve të mi”. “Tani po
na vjedhin edhe varret. Madje edhe më keq akoma, s’po presin sa të vdesim, por po
na fyejnë për së gjalli”. “Ky vendvarrim i përket historisë së qytetit – bërtet
me sa zë që ka një grua. Ta zhvendosësh për të sheshuar kodrinën, është shkandull
i padëgjuar!”. “Po po, ka arsye!” – pohojnë me ulurimë njerëzit e mbledhur rreth
saj. “Të shkojmë, kështu si jemi, tek Perandori!”- propozon një djalë i ri. “T’ia
tregojmë arsyet tona!”. “Mendim i mirë, shkojmë!” - miraton turma e cila pak nga
pak largohet bashkë me britmat, që tani jehojnë nga larg, derisa shuhen fare. Në
kantier rikthehet qetësia. Dëgjohen vetëm zhurmat e mjeteve që sheshojnë dheun në
majën e kodrës, në përpjekjen për ta kthyer në shesh. Pak nga pak kodra sheshohet.
Është gati për realizmin e planit të Kostandinit: Perandori dëshiron të ndërtojë pikërisht
këtu, mbi varrin e Shën Pjetrit, një bazilikë madhështore. Me të dëshiron të nderojë
Shenjtin dhe t’i japë Kishës një vend kulti të denjë për këtë emër. Plani është ambicioz;
arkitektët i kanë studiuar skicat për muaj e muaj. Më në fund është pranuar ideja
për të ndërtuar një bazilikë me pesë navata. Do të jetë 123 metra e gjatë e 90 metra
e gjërë. Në qendër do të ketë varrin e Shën Pjetrit, që do të jetë zemra e ndërtesës.
Varri do të vendoset në një strukturë prej mermeri.“Pjetër, ti je Shkëmb e mbi këtë
shkëmb do ta ndërtoj Kishën time!”. Këto fjalë të Jezusit e shtyjnë Perandorin t’ia
hyjë kësaj aventure. Për të respektuar fjalët e Krishtit, jep urdhër që ndërtesa të
ngrihet mbi kodrën e Vatikanit, ku pushon në paqe Princi i Apostujve. E di se nuk
është aspak e lehtë ta realizojë planin e tij, se do t’i duhet të zgjidhë jo pak probleme.
Romakët nuk duan që vendvarrimi të zhvendoset nga kodra. Po Kostandini s’pyet fare
për pretendimet e tyre: pikërisht këtu tradita e krishterë nderon varrin e Pjetrit,
prandaj, deshën s’deshën, pikërisht këtu do të lartohet Bazilika e Shenjtit, simbol
i krishtërimit!