2008-01-26 11:53:37

"Nuk mund të ketë ekumenizëm të vërtetë, në se rrënjët e tij nuk fillojnë tek lutja": kështu u shpreh Papa në mbylljen Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishtërve


(27.01.2008 RV)RealAudioMP3 Të premten e kaluar Ati i Shenjtë kryesoi Lutjet e dyta Mbëmësore në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve, në përfundim të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve. Në qendër të homelisë vuri kujtimin e Shën Palit Apostull, të cilin Zoti e zgjodhi për të qenë dëshmitar i tij para njerëzve. Papa kujtoi edhe se të premten kremtohej Solemniteti i kthimit të Apostullit të Popujve në fenë e krishterë.
Hyrja e Benediktit XVI në Bazilikën madhështore të Shën Palit, me pesë navata që vezullonin nga ari i mozaikëve, të gjitha plot me besimtarë, ndërmjet të cilëve edhe kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve dhe doktor Samuel Kobìa, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave, me qendër në Gjenevë, u prit me duartrokitje të stuhishme.
Ashtu edhe homelia, gjatë së cilës Papa kujtoi shndërrimin e plotë të Saulit të Tarsit, kthesën e mirëfilltë shpirtërore, e cila e bëri në një çast të vetëm, të verbër që shkonte duke u lëkundur në errësirë, e njëkohësisht njeri, zemra e të cilit ishte mbushur papritmas me dritën që e bëri më pas, Apostull të Ungjillit. Shën Pali - vijoi Ati i Shenjtë – qe i vetëdijshëm se vetëm hiri hyjnor mund të ishte autor i një shndërrimi të tillë. Një mësim ky, që edhe sot ka kuptim të veçantë e tepër aktual:
“Në përfundim të Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve, jemi edhe më të vetëdijshëm se vepra e rifitimit të unitetit, që kërkon nga ne të gjitha energjitë e përpjekjet, i kapërcen, megjithatë, mundësitë tona. Uniteti me Hyjin e me vëllezërit dhe motrat, është dhuratë që vjen nga lart, që buron nga bashkimi i dashurisë ndërmjet Atit, Birit e Shpirtit Shenjt e që në të rritet e përkryhet. Nuk e kemi në dorë ne të vendosim kur e si do të realizohet plotësisht ky bashkim. Vetëm Hyji mund ta bëjë! Ashtu si Shën Pali, e mbështesim gjithë shpresën e besimin në hirin e Hyjit, që është, me ne”.
Këshu u shpreh Ati i Shenjtë në një kremtim që u përshkua plotësisht nga fjalët e temës së kësaj Jave të lutjes për bashikimin e të krishterëve: “Lutuni vazhdimisht!”

Edhe në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan, Papa u shpjegoi besimtarëve se kuptimi shpirtëror i Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve është lutja korale, me një zemër të vetme e një shpirt të vetëm. Papa foli përmbledhtas edhe për etapat e kësaj Jave, që sivjet kremtoi njëqind vjet jetë, dhe uroi që të krishterët të japin dëshminë e unitetit, për t’ia bërë të afërt fytyrën e Hyjit botës, e cila vuan për shkak të mungesës së Tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.