2008-01-26 11:54:39

Mjetet e komunikimit, ndërmjet protagonizmit e shërbimit: reflektim i Atë Federiko Lombardit për mesazhin e Papës kushtuar Ditës së Komunikimeve 2008.


(27.01.2008 RV)“Mjetet e komunikimit shoqëror, ndërmjet protagonizmit e shërbimit”- kjo është tema e Mesazhit të Ditës së Komunikimeve Shoqërore të këtij viti. E, për ta shpjeguar më mirë, Papa shton fjalët: “Kërkoni të vërtetën, për ta ndarë së bashku”.
Fakti që mjetet e komunikimit masiv sot kanë një ndikim vendimtar mbi jetën personale e shoqërore, nuk mund të vihet në dyshim. Ajo që duhet të na shqetësojë seriozisht, është pyetja në se vihen në shërbim të së mirës së njerëzve e të së mirës së përbashkët të shoqërisë. E kjo, sepse shpesh kemi arsye të dyshojmë, ose të pësojmë zhgënjime të hidhura. “Tepër shpesh – vëren Papa - të krijohet përshtypja se komunikimi pretendon jo vetëm të paraqesë realitetin, por edhe ta sundojë atë, në sajë të pushtetit dhe forcës së tij sugjestionuese. Vërehet, për shembull, se mjetet e komunikimit nuk i përdorin gjithnjë ngjarjet për të dhënë informacion, por kanë prirjen për t’i krijuar vetë ngjarjet”. “Duhet shmangur rreziku që mjetet e komunikimit të bëhen megafon i materializmit ekonomik dhe i relativizmit etik, plagë të hapura në kohën tonë. Ato mund e duhet të kontribuojnë për të njohur të vërtetën mbi njeriun, për ta mbrojtur përballë atyre që përpiqen ta mohojnë e ta shkatërrojnë. Mund të thuhet edhe se kërkimi e paraqitja e së vërtetës mbi njeriun, përfaqësojnë thirrjen më të lartë të komunikimeve shoqërore”.E ky është edhe qëllimi i vërtetë i mjeteve të komunikimit. Nuk do të përsëritet kurrë aq sa duhet parimi kryesor mbi të cilin duhet të bazohen: “Fjala – e thënë, e shkruar ose e shprehur me figura – është bërë për të vërtetën, për të thënë të vërtetën, për të favorizuar takimin ndërmjet njerëzve, në kërkimin dhe gjetjen e së vërtetës. Nuk bëhet këtu fjalë për krijimin e një bote idilike. Bëhet fjalë për të kuptuar se po vihet në lojë cilësia e ardhmërisë së bashkëjetesës sonë njerëzore. Shtrohet për zgjidhje problemi: pushteti i jashtëzakonshëm i mjeteve të komunikimit duhet të përdoret si ‘mjet i pushtetit’ apo si mundësi për të thelluar njohjen, dialogun e bashkimin, duke respektuar lirinë dhe dinjitetin e tjetrit. T’i shërbesh së vërtetës, për komunikatorët nuk është fjalë boshe, por impenjim moral, i përvujtë e i madh, në punën e përditshme, në përdorimin e çdo fjale.







All the contents on this site are copyrighted ©.