2008-01-26 11:57:43

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


26 janar: Elena që gjeti Kryqin e Krishtit.
Siiii? Nëna e perandorit Kostandin po niset për Jeruzalem? Populli i Romës çuditet e mrekullohet. Por lajmi është plotësisht i vërtetë. Në dimrin e vitit 326, në moshën e nderuar 80 vjeçare, Elena, nëna e Kostandinit përgatitet për një shtegtim tepër të gjatë. E di se e presin një mori të papriturash: hajdutë, bisha të egra, piratë, sëmundje… Rreziku që të mbetet e vdekur nëpër udhët e panjohura, është shumë i madh. Por para se të vdesë, Elena dëshiron ta shohë pa tjetër Tokën Shenjte, Tokën ku jetoi Jezusi. S’ka gjë në botë që mund ta bëjë të heqë dorë nga ky plan: është kokëshkretë, po aq sa besimtare. Kur i kujtojnë rreziqet e udhëtimit, vë buzën në gaz. Ehuuuu, sa ka parë gruaja guximtare, që u bë perandoreshë e më pas do të bëhej edhe shenjte. Të krijohet ideja se nuk e di ç’është rreziku… por, mjafton të kujtosh rininë e saj, për ta kuptuar. Asokohe sigurisht nuk ishte e pasur. I jati ishte stallier e familja jetonte shumë larg nga Roma e nga pallatet e të pasurve. E provoi shijen e luksit, vetëm kur u martua me një perandor. Jo, ajo i njeh mirë rreziqet, nuk ka frikë prej tyre.
Pas një shtegtimi tepër të gjatë, Elena arrin shëndosh e mirë në Jeruzalem. Shkel në viset e shenjta, ku është kryqëzuar Krishti. Po ku është varri i Zotit? Mbi atë varr është ndërtuar një tempull pagan, që ka shlyer çdo gjurmë të Jezusit. Elena shkon duke pyetur hebrenj e të krishterë e të gjithë i tregojnë të njëjtin vend. Nuk ka kurrfarë dyshimi: varri i Krishti është aty, poshtë tempullit! Elena nuk mendon dy herë: urdhëron të shembet ndërtesa ku adhurohen hyjnitë pagane. Ndërmjet gërmadhave, shikon një si pus të vjetër. Përkulet për të parë ç’ka brenda. Nuk mund të shprehet me fjalë njerëzore ç’ndjen atë çast. Shikon disa copa druri, që duken si pjesë të një kryqi, një tabelë e disa gozhda. Sytë i mbushen me lot gëzimi: është e sigurtë; ka gjetur Kryqin e Krishtit. Jep menjëherë urdhër që aty të ndërtohet një Kishë, të cilën e quan Kisha e Ngjalljes. Pastaj kthehet në Romë, duke marrë me vete dy gozhda të kryqit, njërën nga të cilat e ngërthen në kurorën e të birit, perandorit Kostandin, si të ishte gur i çmuar, për të treguar kështu se ai ishte nën mbrojtjen e Hyjit.Elena vdiq në vitin 330, pak kohë pasi ishte kthyer nga Jeruzalemi. Perandoresha e moçme pati një ide, të cilën do ta ndiqnin më pas mijëra njerëz: idenë për të bërë një udhëtim të gjatë, një shtegtim, për të shkuar e për t’u lutur në vendin ky Jezusi, Biri i Hyjit, kaloi jetën ndërmjet njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.