2008-01-25 16:07:31

Bie qeveria Prodi në Itali. Fillojnë konsultimet


(25.01.2008 RV)Qeveria italiane e Romano Prodit nuk fitoi mbrëmë votëbesimin në Senat, pasi e kishte marrë në Dhomën e Deputetëve. Tashmë flitet për një qeveri teknike, ose për zgjedhje të reja, por janë të shumtë ata që do të preferonin ndryshimin e ligjit elektoral para se t’u afrohen kutive të votimit. Gjithçka do të varet nga vendimi i presidentit Xhorxho Napoletano, i cili ka filluar sot pasdite konsultimet me forcat e ndryshme institucionale dhe politike.

Një atentat i ri sot paradite në Bejrut të Libanit, shkaktoi 4 të vdekur e 13 të plagosur. Shpërthimi i autobombës në një zonë të krishterë u bë për të vrarë një gjykatës të njohur, por ndër viktimat mbeti një funksionar i lartë i shërbimeve sekrete. Autorët vijnë me siguri nga radhët e grupeve salafite të lidhura me Al Kaidën.

Përpjekja e Egjiptit për të mbyllur kufirin me Gazën sot në orën 14, u pasua menjëherë nga një e çarë tjetër e murit, nga ana e palestinezëve që e shohin tokën e faraonëve si të vetmen shpresë për t’u furnizuar me ushqime dhe me materiale të tjera të nevojshme për jetën. Në Jeruzalem, presidenti palestinez Abu Mazen dhe kryeministri izraelit Ehud Olmert po diskutojnë pikërisht për çështjen e Gazës, ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së dështoi, për të tretën herë rresht, në hartimin e një rezolute për gjendjen e krijuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.