2008-01-24 18:12:22

Sfidat e shekullarizmit dhe rrënjët e krishtera të Evropës, në qendër të fjalimit të Papës drejtuar ipeshkvijve sllovenë, në vizitë ‘ad Limina’.


(24.01.2008 RV)RealAudioMP3 Sot, duke pritur ipeshkvijtë sllovenë, në vizitë ‘ad Limina’, Benedikti XVI theksoi se trashëgimia e krishterë duhet vënë në qendër të vëmendjes në Evropë, ndërsa bashkësia kishtare sllovene duhet ta shikojë shekullarizmin si një ndër sfidat kryesore.
Papa foli edhe për ngjarjet kryesore politike të viteve të fundit në Slloveni, duke kujtuar katër etapa domethënëse: hyrjen, më 1 maj 2004 në Bashkimin Evopian; përdorimin, tri vjet më pas, të monedhës së përbashkët, euros; pranimin, vitin e kaluar, në Traktatin e Shengenit, që siguron qarkullimin e lirë, si dhe fillimin, më 1 janar të këtij viti, të semestrit të presidencës së turnit në Bashkimin Evropian. Më pas Ati i Shenjtë theksoi:
“Në se Evropa dëshiron të mbetet e të bëhet gjithnjë më shumë tokë e paqes, duke ruajtur si vlerë themelore respektin për dinjittein e njeriut, nuk mund ta mohojë komponentin kryesor – në planin shpirtëror dhe etik – të këtij themeli, dmth krishterimin”.
Duke kujtuar letrën baritore të ipeshkvijve, shkruar më 23 prill 2004, Benedikti XVI nënvizoi se krishterimi është feja e shpresës: ngjall shpresat për jetën, për lumturinë, për vëllazërimin ndërmjet të gjithë njerëzve:
“Kjo është e vërtetë në çdo kontinent, e është e vërtetë edhe në një Evropë, në të cilën shumë intelektualë ngurrojnë akoma ta pranojnë faktin se arsyeja dhe feja kanë nevojë për njëra-tjetrën, që ta realizojnë natyrën e misionin e tyre”.
Më pas Ati i Shenjtë u ndalua posaçërisht tek sfidat me të cilat duhet të matet sot Kisha në Slloveni:
“Shekullarizmi, me vulë perëndimore, i ndryshëm e ndoshta edhe më i djallëzuar se ai marksist, paraqet shenja, të cilat nuk mund të mos na shqetësojnë. Të mendojmë, për shembull, për rendjen e shfrenuar pas të mirave materiale, për kufizimin e lindjeve e akoma, për praktikimin në rënie të fesë e për pakësimin e thirrjeve për rrugën meshtarake e rregulltare”.
Papa e inkurajoi Kishën sllovene t’i përgjigjet kulturës materialistike dhe egoistike me një veprimtari të dendur ungjillëzuese, duke nisur nga famullitë.
Pasi i falënderoi ipeshkvijtë për ftesën që i bënë për të vizituar vendin me rastin e Kongresit eukaristik kombëtar, i cili do të mbahet në pranverën e 2009-tës, Ati i Shenjtë nënvizoi se bashkësia duhet t’i përdorë të mirat e kësaj bote vetëm në shërbim të Ungjillit, duke kujtuar se:
“Në çdo epokë të Kishës, dëshmia e varfërisë ungjillore ka qenë element themelor i ungjillëzimit, ashtu siç ka qenë në jetën e Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.