Mijëra palestinezë nga Gaza në Egjipt. Mubarak: gjendje katastrofike
(23.01.2008 RV)Autoritetet ushtarake izraelite penguan sot hyrjen e kamionëve
me mallra për popullsinë e Gazës, në pikën kufitare të Kerem Shalomit, që ndodhet
ndërmjet Izraelit, Egjiptit e Rripit të Gazës. Ndërkaq, një ditë pasi kufiri me Egjiptin
u hodh në erë e 350 mijë palestinezë mundën të kalonin në Egjipt, Ministri i jashtëm
i Kajros bëri të ditur se ai do të mbetet i hapur derisa të vazhdojë kriza humanitare
në Rripin e Gazës. Gaza, në duart e Hamasit, nuk furnizohet më nga Izraeli me karburant
e me ushqime. Pas hapjes së kufirit, mijëra persona e kanë zgjidhur problemin duke
blerë në Egjipt. Edhe krerët e kishave të Jeruzalemit kanë kërkuar fundin e rrethimit
të Gazës nga ana e Izraelit.
Vazhdojnë ndeshjet me armë dhe dhuna në Irak.
Bilanci i fundit i policisë flet për 34 të vdekur e 217 të plagosur. Mbrëmë në Mosul,
një ndërtesë u hodh në erë me eksploziv. Shumica e viktimave janë civilë. Në të njëjtin
vend, sot u vra kreu i policisë. Në frontin politik, presidenti iranian Ahmadinexhad
ka pranuar të bëjë një vizitë në Irak. Është hera e parë që një lider iranian shkon
në Bagdad. Data nuk është njoftuar zyrtarisht, por mediat flasin për mesin e marsit.
48
viktima – 40 militantë dhe 8 ushtarë – në luftimet në jug të Vaziristanit, ndërmjet
talebanëve dhe ushtarëve pakistanezë. Operacioni ishte organizuar kundër lideri taleban,
që mendohet të jetë mendja e atentatit kundër Benazir Butos.
Dita e dytë
e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Në rendin e ditës disa tryeza
të rrumbullakta. Ish-zv.presidenti amerikan Al Gore foli mbi marrëdhëniet ndërmjet
sfidave klimatike dhe varfërisë. Presidenti i Pakistanit dhe ai i Afganistanit diskutuan
mbi stabilitetin e rajonit të tyre. Procesi i paqes në Lindjen e Mesme në qendër të
debatit ndërmjet presidenti izraelit, Shimon Peres dhe kryeministrit palestinez, Salam
Fajad. E ishte edhe dita e Bill Gejts, presidentit të Këshillit Administrativ të Mikrosoftit,
i cili ka premtuar Akademi Dixhitale për Shqipërinë.