2008-01-24 18:15:47

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(24.01.2008 RV)RealAudioMP3 24 janar: Kostandini dhe realizimi i vegimit të tij, që ia ndryshoi rrjedhën historisë.
Sonte Kostandini nuk nuk ka gjumë, nuk mund të mbyllë sy. Nesër në agim, trupat e tij do të ndeshen me ato të Maksencit në rrethinat e Romës. Në atë verë të vitit 312 hidhet shorti i Perandorisë romake të perëndimit. Tani për tani perandoria ka dy prijës: Kostandinin e Maksencin. Po nesër mbrëma njëri prej tyre do të jetë i vdekur, tjetri, perandor. I vetmi perandor.
Në mesin e kësaj nate të trazuar, Kostandini sheh një vegim të çuditshëm, që i duket më shumë si këshill. Do ta fitojë betejën, në se do të skalitë në mburojat e ushtarëve të tij Kryqin, simbolin e Krishtit. ‘In hoc signe vinces’ – i pëshpëritë një zë. Nën këtë shenjë do të fitosh!
Kryqin e Krishtit? Po Kostandini nuk beson në Krishtin, adhuron hyjnitë e perandorisë romake! Perandorët që i paraprinë i urryen me gjithë shpirt të krishterët. Madje i persekutuan mizorisht. Edhe pse Kostandini i trajton të krishterët më me butësi se paraardhësit, është tepër larg nga feja e krishterë.
“S’e dimë ç’na pret…” – mendon Kostandini – në fund të fundit nuk humbas asgjë, në se i besoj vegimit. Në rastin më të keq, simboli i Krishtit nuk do të më sjellë kurrfarë dobie, në rastin më të mirë…. do ta fitoj betejën e do të pushtoj mbarë perandorinë.
Një të thënë e një të bërë: mbi mburojat e dyzetmijë ushtarëve të ushtrisë së tij skalitet shenja e Kryqit. E kështu nis beteja mbi Urën e Milvios. Ende nuk ka rënë nata, kur Kostandini arrin një nga fitoret më të shkëlqyera që njihen në histori, Maksenci vdes e ushtria e tij shpartallohet plotësisht.
Si bëhet i vetmi perandor i Perëndimit, Kostandini nuk e harron kush ia siguroi fronin: në se do të tregohet mosmirënjohës, Hyji i të krishterëve do ta braktisë në fatin e vet. Që aty e tutje, mbi monedhat e perandorisë skalitet shenja e Kryqit, në kujtim të betejës së Urës së Milvios. E, sidomos, në vitin 313 që vjen pas, Kostandini shpall ediktin e Milanos. Edikt quhej asokohe shpallja e një ligji të ri, nga ana e mbretit ose e perandorit. Kostandini deklaron se “çdo njeri mund ta adhurojë sipas dëshirës hyjninë e vet që është në qiell”.
Kjo do të thotë se krishterimi nuk ndalohet më si përpara. Të krishterët nuk do të detyrohen më të flijojnë para hyjnive romake e as t’i luten Zotit fshehurazi. Viti 313 për të krishterët është viti i parë i lirisë!Gjithsesi Kostandini nuk bëhet menjëherë i krishterë. I duhet kohë, që ta njohë më mirë Krishtin e ta dojë me të vërtetë. Perandori pagëzohet vetëm pak kohë para vdekjes. Por duke e njohur krishtërimin, e përgatiti gjithë perandorinë e tij të pa fund, të bëhet plotësisht e krishterë. Do të jetë Teodosi perandor, disa vjet më vonë, ai që do ta shpallë krishtërimin fe zyrtare të perandorisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.