2008-01-23 18:48:34

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: të krishterët ta dëshmojnë bashkimin e tyre përmes lutjes, në një botë që vuan për shkak të mungesës së Hyjit.


(23.01.2008 RV)RealAudioMP3 Një lutje korale, me një zemër të vetme e një shpirt të vetëm: ky është kuptimi shpirtëror i Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, që do të përfundojë pasnesër e së cilës Benedikti XVI i kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sallën e Palit VI në Vatikan. Papa foli përmbledhtas për etapat e kësaj Jave, që sivjet kremton njëqind vjet jete, dhe uroi që të krishterët të japin dëshminë e unitetit, për t’ia bërë të afërt fytyrën e Hyjit botës, që vuan për shkak të mungesës së Tij.
“Duke kërkuar hirin e unitetit, të krishterët bashkojnë zërin me vetë lutjen e Krishtit dhe impenjohen të punojnë gjallërisht, që mbarë njerëzimi ta pranojë si të vetmin Bari e të vetmin Zot, e të provojë, kështu, gëzimin e dashurisë së Tij”.
Benedikti XVI shpjegoi që në fillim të katekizmit të tij të gjatë, vlerën e lutjes së njëzëshme, të bërë me një zemër të vetme e me një shpirt të vetëm, pasqyrim i lutjes që Krishti e lartoi dymijë vjet më parë, duke i kërkuar, i pari, Hyjit, që dishepujt e tij ‘ut unum sint’ – të jenë një gjë e vetme. E kjo vlerë – shpjegoi Papa - merr një kuptim shumë më të gjërë në fillim të vitit 2008, sepse pikërisht një shekull më parë – pas disa shekujsh armiqësie – të krishterët e konfesioneve të ndryshme, rizbuluan, përtej përçarjeve, forcën bashkuese të lutjes së përbashkët.
Benedikti XVI kujtoi shkurtimisht historinë e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, duke u nisur nga intuita vërtetë e frytshme e pastorit anglikan, atë Paul Uotson i cili, në vitin 1908, u bë nismëtar i Tetëditshes së lutjes. Pikërisht kjo Tetëditshe, njëzet vjet më vonë, falë ndihmesës vendimtare të Abatit Kuturiè të Lionit, u bë Javë e lutjes. E kur, 40 vjet më parë, edhe etërit konciliarë të Vatikanit tërhoqën vëmendjen mbi urgjencën e bashkimit ndërmjet të të krishterëve, Java e lutjes - vijoi të shpjegonte Papa – u bë një nga çastet më cilësore e më të frytshme të rrugës ekumenike.
Pas shpjegimeve historike, Benedikti XVI u ndal tek thelbi shpirtëror i ekumenizmit: tek lutja që e mbajti gjallë, që kthen zemrat në rrugën e Zotit e i shtyn të kërkojnë shenjtërinë e jetës:
“Lutuni vazhdimisht’, kjo fjalë e Shën Palit është tema e Javës së sivjetme të Lutjes; është njëkohësisht edhe ftesë, e cila vijon të jehojë në bashkësitë tona, që lutja të bëhet dritë, forcë, orientim për hapat tonë e të na nxisë ta dëgjojmë përvujtërisht Zotin tonë të përbashkët”.
Papa vijoi të fliste për frytin e lutjes të jetuar së bashku, vlerën e së cilës e vë me forcë në dukje Dekreti konciliar mbi ekumenizmin ‘Unitatis redintegratio’. Në këtë tip lutjeje – mendon Benedikti XVI – feja e pandarë në Krishtin shkëlqen më shumë se ndarjet konfesionale:
Në lutjen e njëzëshme, bashkësitë e krishtera zënë vend së bashku përballë Zotit e, duke u bërë të vetëdijshme për kundërvëniet që lindën nga ndarja, shprehin dëshirën t’i binden vullnetit të Hyjit, duke kërkuar plot besim ndihmën e Tij të gjithëpushtetshme. (...) Lutja e përbashkët nuk është akt që varet nga vullneti i njerëzve, as akt sociologjik, por shprehje e fesë, që i bashkon të gjithë dishepujt e Krishtit”.
Lutja e përbashkët i dha një shtytje të re dialogut ekumenik. E krijimi i marrëdhënieve miqësore – theksoi Papa – thelloi njohjen reciproke dhe bashkimin, duke bërë kështu që problemet, ende të hapura, që nxisin përçarjen, të perceptohen më qartë. Papa vijoi të flasë me zemër të hapur, duke theksuar në mënyrë të veçantë sa do të përfitonte njerëzimi, sot shpesh herë indiferent ndaj fenomeneve të mbinatyrshme, nga arritja e bashkimit të plotë të të krishterëve.
“Bota vuan për shkak të mungesës së Hyjit, për shkak se Hyji nuk i duket i afërt, në sa ka shumë dëshirë ta njohë fytyrën e Tij. Por si mund ta njohë këtë fytyrë të Hyjit në fytyrën e Jezu Krishtit, në se ne, të krishterët, jemi të ndarë, në se njëri mëson kundër tjetrit, në se njëri është kundër tjetrit? Vetëm të bashkuar mund t’i tregojmë vërtetë kësaj bote, që ka nevojë për fytyrën e Hyjit, për fytyrën e Krishtit, që është fytyra e vetë Hyjit, mund t’ia tregojmë, pra, botës, këtë fytyrë”.
Si kreu katekizmin dhe përshëndetjet në gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI e përfundoi audiencën e përgjithshme duke kujtuar figurën e Shën Françeskut të Sales, pajtor i shtypit katolik, festa liturgjike e të cilit do të kremtohet nesër. Ipeshkëv i Gjenevës në një kohë të ngarkuar me konflikte – nënvizoi Ati i Shenjtë – ai ishte njeri i paqes e i bashkimit. Mësues i jetës shpirtërore, na mëson se çdo njeri mund të bëhet i krishterë i përkyer.







All the contents on this site are copyrighted ©.