2008-01-23 18:33:05

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(23.01.2008 RV) RealAudioMP3 23 janar: Tarçizi, martiri i Eukaristisë
Një hije rrëshqet nëpër dredhat e një rruge të errët. Shtëpitë përqark janë të zhytura në heshtje të thellë. Patrullat e rojeve të natës, sapo e kanë kryer kontrollin. Qyteti i Romës është zhytur në gjumin e parë. Të gjithë flenë, por jo Tarçizi. Djaloshi romak vijon me kujdes udhën. I mbështjellë me një mantel të gjërë, mendon fjalët që sapo i ka dëgjuar nga meshtari, në përfundim të Meshës, kremtuar në zemër të katakombeve: “Zoti ta mbajtët dorën mbi krye, Tarçiz. Ki kujdes. Në se takon ndonjë ushtar ose ndonjë qytetar që e di kush je, me siguri do të të arrestojnë e do të flakin në gojën e luanëve”.
Djaloshi është i krishterë e pak kohë më parë perandori Dioklecian ka dhënë urdhër të arrestohen e të shfarosen të gjithë dishepujt e Krishtit. Tarçizi shpejton hapin. Shtrëngon në zemër hosten e shuguruar që ia ka dorëzuar meshtari për t’ia çuar një të sëmuri. Duhet të arrijë sa më shpejt. Një njeri, që vuan, pret ngushëllimim më të madh: korpin e shenjtë të Krishtit. E ndërsa djaloshi është zhytur në këto mendime të thella, një zë gris heshtjen e mpiksur të natës: “Shiko, shiko, kush na qenka!” Tarçizit i ngrihet gjaku ndër deje . E njeh mirë këtë zë. Është i një djaloshi grindavec, që i prin një bande vagabondash. Ai e shokët e tij enden ditë-natë rrugash në kërkim të sherrit. Tarçizi bën sikur nuk dëgjon. Po zëri vijon me ligësi: “Ej, Tarçiz, pse sillesh rrugash në këtë orë të vonë? Ç’ fsheh ashtu nën mantel? Para? Stoli?”.
Tarçizi vijon rrugën me hap të vendosur e lutet në heshtje.
Banda i afrohet me kureshtje në rritje. Duket qartë se nuk do ta lejojnë të vijojë rrugën, pa ia shkulur thesarin që e fsheh me aq kujdes nën petkun e gjërë. Një grusht e godet në faqe, një tjetër në bark. Shembet përdhé. Gjithë banda i hidhet përsipër me grushte e me shkelma, derisa nuk ndjen më asgjë. “Të falënderoj, o Zot, që më ndihmove të të dua deri në fund të fundit” – janë fjalët e tij të mbrame. Banda, duke e parë se ka vdekur, kërkon t’ia rrëmbejë stolinë. Duhet të jetë tepër e çmuar, përderisa Tarçizi pranoi më parë të vdesë sesa ta dorëzojë. Po dora e djaloshit të krishterë është mbledhur grusht e në grusht është hostja. Bëjnë çmos t’ia hapin gishtrinjtë, për t’ia shqitur thesarin, por më kot. Grushti duket si i ngjitur me një lëndë të tejdukshme. Të tmerruar, ia mbathin me të katra.Disa minuta më vonë, meshtari që ia kishte dhënë hosten Tarçizit, duke u kthyer në shtëpi të vet nëpër të njëjtën rrugë, gjen trupin pa jetë të martirit të ri. E në dorën e vogël, gishtrinjtë e së cilës hapen menjëherë, është hostja. E paprekur e vezulluese.







All the contents on this site are copyrighted ©.