2008-01-22 18:21:01

U paraqit takimi për kremtimin e 25-vjetorit të shpalljes së Kodit të së Drejtës Kanonike, që do të mbahet në Vatikan.


(22.01.2008 RV)RealAudioMP3 Sot paradite, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u mbajt konferenca për paraqitjen e takimit “Ligji kanonik në jetën e Kishës. Kërkim e perspektiva, nën dritën e mësimeve papnore”, që do të mbahet më 24 e 25 janar në Sallën e Sinodit në Vatikan. Takimi organizohet me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së Kodit të së Drejtës Kanonike. Gjatë paraqitjes folën imzot Françesko Kokopalmiero dhe imzot Huan Injacio Arrieta, përkatësisht kryetar e sekretar i Këshillit Papnor për Tekstet Ligjore.
“Të rishikohet pjesa kryesore e rendit ligjor të Kishës, duke pasur parasysh arritjet doktrinore të Koncilit II të Vatikanit”. Me këtë objektiv, më 29 janar 1983, Gjon Pali II shpallte Kodin e së Drejtës Kanonike. Ky tekst - nënvizoi imzot Françesko Kokopalmiero - është fryt i një pune shumëvjeçare për rishikimin e Kodit të vitit 1917. Kryetari i dikasterit të Vatikanit pohoi se Kodi i së Drejtës Kanonike është, mbi të gjitha, një tregues i të drejtave dhe i detyrave të rrënjosura në personin e besimtarëve ose në strukturat e Kishës me vendimin e vetë Krishtit. Më pas u ndalua në karakteristikat e tekstit të shpallur 25 vjet më parë:
“Është një kanun programatik, nga i cili vijnë, më pas, shumë përcaktime konkrete, që kanë të bëjnë me besimtarët e, posaçërisht, me besimtarët laikë: të gjithë janë të thirrur të jenë aktivë në Kishë, të marrin pjesë në kremtimet liturgjike, në mësimdhënie, në drejtim, secili në detyrën e vet, por të gjithë në mënyrë aktive”.
Kujtoi, kështu, rëndësinë e Këshillit Papnor për Tekstet ligjore, i cili ka për detyrë jo vetëm të interpretojë ligjet, por edhe të ndihmojë Papën në zbatimin e drejtë të ligjeve në fuqi si dhe në kujdesin për ta pasur gjithnjë ligjishmërinë të plotë e të azhurnuar.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, imzot Kokopalmiero nënvizoi se progresi ekumenik, posaçërisht me ortodoksët, do të kërkojë sigurisht ballafaqimin e traditave të ndryshme kanonike. Më pas ripohoi qëndrimin e Kishës lidhur me abortin:
“Mendoj se Kisha do të zbatojë në mënyrë të vendosur Doktrinën e saj lidhur me këtë krim, e prej këndej, besoj se nuk mund të hamendësohen ndryshime të asnjë lloj tipi”.
Në përfundim prelati theksoi rëndësinë e përgatitjes së meshtarëve për njohjen e së drejtës kanonike ndër seminare e institute, ku vijojnë studimet.
Kujtojmë se specializimi i meshtarëve në të drejtën kanonike në Kishën shqiptare ka një traditë të mirënjohur, që po vijon me sukses edhe sot, me përgatitjen e disa meshtarëve të rinj si specialistë të kësaj disipline kaq të rëndësishme për jetën e fetare të të gjithë besimtarëve.
Përmendim vetëm emrat e dy meshtarëve të rinj shqiptarë që përgatiten në Romë në këtë disiplinë. Janë prifti dom Gjergj Meta, që studion në Universitetin Gregorian dhe rregulltari françeskan, Atë Aurel Gjerkaj, në Universitetin Antonian.







All the contents on this site are copyrighted ©.