2008-01-22 18:06:17

Kosova në Parlamentin evropian dhe në Berlin


(22.01.2008 RV)Ditë e rëndësishme për Kosovën, me mbledhjen e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermanisë në Berlin, si edhe me diskutimin në parlamentin e Këshillit të Evropës.
Sekretarja e shtetit amerikan, Kondolica Rajs paralajmëroi sot evropianët, gjatë rrugës për në Berlin, se vonesat në njohjen e pavarësisë së Kosovës janë të rrezikshme. Gjithashtu, ajo i kujtoi Bashkimit Evropian se duhet të marrë mbi vete përgjegjësinë e tranzicionit.
Një gjendje e ndërlikuar për të cilën u ankua sot në Romë edhe ministri i jashtëm italian, Masimo D’Alema. “Mendoj – theksoi ai – se edhe Rusia nuk ka ndihmuar aspak në kërkimin e një zgjidhjeje të përbashkët. Në një farë mënyre vetoja ruse ka përfaqësuar një limit edhe për klasën politike serbe, e cila pa veton do të detyrohej të negocionte më seriozisht një status të ri për Kosovën”. Sipas D’Alemës, edhe shqiptarët morën tepër shpejt nga amerikanët mbështetjen për pavarësinë, prandaj pakti federativ i propozuar nga Brukseli, si zgjidhje për statusin e ardhshëm nuk u mor parasysh nga asnjë palë. “…SHBA-të dhe Rusia – përfundoi D’Alema – kanë luajtur lojën e tyre në Ballkan e neve na duhet të paguajmë llogarinë…”.
Ndërkaq, ministri grek i Mbrojtjes, Evangelos Meimarakis, nga Sarajeva ku ndodhej për vizitë, përsëriti sot qëndrimin e Athinës, e cila nuk është gati të pranojë një “zgjidhje të imponuar” për Kosovën.

Europarlamenti i ndarë përsa i përket statusit të Kosovës. Jo të gjitha grupet kanë votuar pro pavarësisë së saj. Në ditën e dytë të sesionit dimëror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është diskutuar rezoluta për Kosovën, e propozuar nga lordi Rasel Xhonston, i grupit evropian të liberal-demokratëve. Sipas lordit anglez, zgjidhja e statusit të Kosovës duhet imponuar nga OKB-ja, pasi janë shterrur të gjitha mundësitë për arritjen e një kompromisi. Rezoluta është kundërshtuar fortësisht nga përfaqësuesi i Dumës ruse, Kostantin Kosakov, për të cilin serbëve dhe kosovarëve nuk u është dhënë mundësia të ulen si duhet në tryezën e bisedimeve. Në punimet e sotme ka marrë pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.







All the contents on this site are copyrighted ©.