Dita e pestë e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve.
(22.01.2008 RV)Tema rreth së cilës u mbajt meditimi i sotëm, ishte: “Lutuni
vazhdimisht me zemër të duruar: të jeni durimtarë me të gjithë!”. Pikërisht durimi
është një nga veçoritë kryesore të ekumenizmit. Ekumenizëm do të thotë të flasësh
me të tjerët me gjuhën e fesë. Ekumenizëm quhet dëshira për ta dëgjuar tjetrin e për
t’i folur me gjuhën e dashurisë së anasjelltë, në një dialog durimtar, që kthehet
në bashkëpunim vëllazëror për lehtësimin e vuajtjeve të njeriut. Nuk është aspak i
lehtë një dialog i tillë. Por Krishti mund të bëjë gjithçka. Ai bën të dëgjojnë të
shurdhërit e të flasin të pagojët, prandaj është në gjendje të ndikojë në zemrën e
të krishterëve dëshirën e zjarrtë për ta dëgjuar me durim tjetrin, për të qenë durimtar
kur komunikon me tjetrin. Java e Lutjes për bashkimin e të krishterëve na kujton kështu
se ekumenizëm do të thotë përvojë e thellë dialogu, do të thotë të flasësh, të dëgjosh
me durim e të njihesh më mirë me tjetrin; është detyrë që mund ta kryejnë të gjithë,
posaçërisht përsa i përket ekumenizmit shpirtëror, të bazuar mbi lutjen dhe bashkëpunimin
e mundshëm ndërmjet të krishterëve.