2008-01-21 18:49:52

Papa: shkolla katolike është e hapur për të gjithë dhe respekton identitetin e secilit.


(21.01.2008 RV)“Përballë sfidave të reja të globalizimit e të pluralizmit në rritje, shkolla katolike duhet të pyesë veten cili është misioni i saj”: këtë u kujtoi Benedikti XVI anëtarëve të Asamblesë plenare të Kongregatës për Edukimin katolik, të cilët i priti sot në Sallën Klementine në Vatikan. Papa nënvizoi se shkollimi është shprehje e dashurisë së Krishtit; është edhe e para shprehje e mëshirës shpirtërore, për të cilën është e thirrur Kisha. Me që sektori i edukimit është posaçërisht i dashur për Kishën - vijoi Ati i Shenjtë - është e nevojshme të reflektohet si mund ta bëjmë real e frytdhënës misionin apostolik të bashkësisë kishtare, që u është besuar universiteteve katolike, në një kohë kur ndjehet fuqimisht kriza edukative e kur shkolla duhet ta ketë mirë parasysh sfidën e re të një mjedisi ndërkulturor e ndërfetar.Përballë një situate të tillë, Papa vuri theksin mbi rëndësinë e formimit të përgjithshëm të meshtarëve, që duhet t’i bëjë të aftë për të dialoguar me kulturat bashkëkohore në të gjitha fushat. Ati i Shenjtë theksoi se edhe bashkësitë e krishtera, posaçërisht famullitë, duhet të kenë një formim të përshtatshëm shpirtëror, që të jenë sa më të vetëdijshme në veprimtarinë ungjillëzuese, posaçërisht kur është fjala për edukimin katolik të të rinjve.







All the contents on this site are copyrighted ©.