2008-01-21 18:49:42

Papa për Sinodin e tetorit: “Të gjithë kanë të drejtë ta takojnë Jezusin: Kisha ta kumtojë me guxim Fjalën e Hyjit”.


(21.01.2008 RV)RealAudioMP3 “Kisha ta kumtojë me guxim e me bindje Fjalën e Hyjit, në mënyrë që të gjithëve t’u jepet mundësia ta takojnë Fjalën e gjallë, që është Jezu Krishti”. Këtë theksoi Papa sot paradite në takimin me anëtarët e Këshillit të zakonshëm të Sekretarisë së përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, të cilët u mblodhën për të përgatitur sinodin që do të mbahet më 5 deri më 26 tetor, me temë: “Fjala e Hyjit në jetën dhe në misionin e Kishës”.
Benedikti XVI shprehu besimin e tij për frytet e Sinodit kushtuar Fjalës së Hyjit, duke theksuar përmasat komunitare të përvojës sinodale në dritën e enciklikës së tij “Spe salvi’:
“Të jesh në bashkim me Krishtin – kam shkruar – na bën të jemi për të gjithë, përbën mënyrën tonë të jetës. Jezusi na impenjon për të tjerët, por vetëm në bashkim me Të, bëhet e mundur të jemi vërtetë për të tjerët, sepse ekziston një lidhje e ngushtë ndërmjet dashurisë së Hyjit e përgjegjësisë për njerëzit, që të krijon mundësitë të mos biesh në individualizmin e shëlbimit e të shpresës”.
Papa nënvizoi se detyrat e mëdha të bashkësisë kishtare në botën e sotme, ndërmjet të cilave ungjillëzimi dhe ekumenizmi – përqëndrohen tek Fjala e Hyjit e, njëkohësisht, përligjen e mbështeten prej saj:
“Ashtu si veprimtaria misionare e Kishës me punën e saj ungjillëzuese gjen frymëzimin dhe qëllimin në dëftimin e mëshirshëm të Hyjit, edhe dialogu ekumenik nuk mund të bazohet mbi fjalët e dijes njerëzore (cfr 1. Cor 2, 13) ose mbi rrugëdalje të mprehta strategjike, por duhet të gjallërohet vetëm nga lidhja e vijueshme me fjalën e zanafillës, që Hyji ia dorëzoi Kishës së vet”.
Në këtë fushë – shtoi Papa – doktrina e Shën Palit zbulon një forcë krejt të veçantë, të bazuar mbi vetëdijen e pushtetit të vetëm shëlbues, atë të Shpirtit të Zotit:
“Zotit, të cilin në fillim e persekutoi e pastaj ia kushtoi gjithë vetveten, Pali i qëndroi besnik deri në vdekje: uroj që shembulli i tij t’i inkurajojë të gjithë, që ta pranojnë Fjalën e shëlbimit e ta realizojnë në jetën e përditshme, duke ecur besnikërisht pas Krishtit”.
Papa shprehu besimin e tij për frytet që do të sjellë sinodi i tetorit: Etërit sinodalë, të ardhur nga të katër anët e botës, do të mblidhen në Vatikan, duke vënë në qendër Fjalën e Hyjit:
“Do të kenë, kështu, mundësinë të ballafaqohen me njëri-tjetrin, por sidomos, të mblidhen në bashkim kolegjial për ta dëgjuar fjalën e jetës, që Hyji ia ka besuar kujdesit plot dashuri të Kishës së vet, që ta kumtojë me guxim e bindje, me atë guxim që i nxiti apostujt t’ua kumtojnë të vërtetën të afërmve e të largtëve. Të gjithëve u duhet dhënë, për virtyt të Shpirtit Shenjt, mundësia ta takojnë Fjalën e gjallë që është Jezu Krishti”.







All the contents on this site are copyrighted ©.