Në përkujtimin e sotem liturgjik të Shën Anjezes, Papa bekoi dy qengja, me leshin
e të cilëve do të enden paliot.
(21.01.2008 RV)Si çdo vit, sot, në festën e Shën Anjezes, sipas një tradite
të lashtë, Papa bekoi dy qengja, që iu paraqitën në dy shporta të veshura me kadife
të verdhë, stolisur me lule të bardha, ngjyrat e Vatikanit. Leshi i tyre do të përdoret
për endjen e paliove të shenjta, të cilat si të jenë bekuar nga Papa, vendosen më
pas në një arkë të vogël prej argjendi të praruar pranë Varrit të Shën Pjetrit e,
që aty, më 29 qershor, mbi shpatullat e kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, gjë që
shpreh lidhjen e ngushtë të ipeshkvijve me Selinë e Shën Pjetrit. Shumë e pasur
është simbolika e palios - një fashë leshi e bardhë, e gjërë 4-6 centimetra, mbi të
cilën spikasin pesë kryqe të qindisur me mëndafsh të zi, simbol i pesë plagëve të
Krishtit në kryq. Ajo vendoset mbi shpatulla duke u mbërthyer në kraharor, në shpinë
e në shpatullën e majtë me tri karfica të stolisura me gurë, që njihen me emrin aciculae.
Palio, që simbolizon delen e humbur, të kërkuar, të shpëtuar e të vënë përmbi
shpatullat e Bariut të Mirë, është shprehje liturgjike e nderimit dhe e detyrës që
papa u ngarkon ipeshkvijve metropolitë. Tre muaj pas shugurimit ose emërimit, ipeshkvi
metropolit duhet të marrë nga papa palion. Kjo traditë nisi që nga gjysma e shekullit
IX. Dorëzimi i palios bëhet në Romë nga kardinali i parë diakon ose jashtë Rome, në
selinë metropolitane, nga ipeshkvi i ngarkuar me këtë detyrë, pas meshës solemne e
pasi kryeipeshkvi metropolit ka bërë betimin për besnikëri. Metropoliti e vë
palion vetëm në meshët pontifikale të kishës së tij ose të krahinës së tij në ditët
e përcaktuara nga Pontifikali Romak, në festën e Zojës së Papërlyer e të Shën Jozefit,
shtuar nga papa Leoni XIII, në rastet e shugurimeve meshtarake ose ipeshkvnore etj.
Ka karakter personal e nuk mund t’i dorëzohet asnjë njeriu tjetër. Në se kryeipeshkvi
transferohet në një seli tjetër metropolitane, duhet të kërkojë një palio të re. Vetëm
Papa ka të drejtë ta mbajë gjatë meshëve solemne e kudo. Për herë të parë palio
nisi të përdorej aty nga gjysma e shekullit V. E shohim këtë në fildishin e famshëm
të Trevirit, në një procesion me relike, e edhe më qartë në figurën e Ipeshkvit Masimiani,
në mozaikun e Shën Vitales të Ravenës (Itali), realizuar aty nga gjysma e shekullit
VI. Sipas traditës, qengjat rriten nga rregulltaret e kuvendit romak të Shën Lorencit
në Panisperna e më pas i dhurohen Papës nga rregulltarët e Urdhërit të Kanonikëve
Lateranens, që shërbejnë në Bazilikën e Shën Anjezes jashtë mureve të Romës.