2008-01-21 17:51:31

Ndeshje e viktima të tjera në Kenia


(21.01.2008 RV)Në Kenia, dhuna që shpërtheu pas rizgjedhjes së presidentit Kibaki, i kundërshtuar fuqimisht nga opozitori Odinga, vazhdon akoma dhe ka shkaktuar edhe shtatë viktima të tjera. Ndërsa pritet ndërmjetësimi i ish-sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, konflikti ka shpërthyer edhe në periferi të kryeqytetit Nairobi. Dje, në të gjithë vendin, u kremtua dita kombëtare e lutjes, organizuar nga ipeshkvijtë katolikë për të ndihmuar pajtimin. Në mikrofonin tonë, atë Mariano Tibaldo, misionar kombonian, prej vitesh në vendin afrikan:
RealAudioMP3 Problemi më i madh është në bidonvilet, në lagjet e barakave të Nairobit, në zonat e varfëra të Kenias. Prandaj problemi i vërtetë qëndron në pak nga të gjitha: ana etnike, nga njëra anë, por edhe ajo shoqërore e politike. Mendoj se e vetmja gjë që mund të vemë në jetë është dialogu, dialogu ndërmjet dy partive. Deri tani, fatkeqësisht, askush s’ka dashur të dialogojë në mënyrë koherente dhe të ndershme, sepse për të bërë dialog duhet edhe të dish të humbasësh diçka e askush nuk ka ndërmend të humbasë gjë. Në këto kushte nuk mund të flitet për dialog, por dialogu është e vetmja mundësi, e vetmja zgjidhje.

“Tridhjetë vjet janë të mjaftueshme”. Kjo është parrulla e Marrshimit IV për Jetën, organizuar dje në Paris, me objektiv shfuqizimin e ligjit Veil që lejon abortin. Çdo vit në Francë regjistrohen 200 mijë aborte. Në Marrshim morën pjesë edhe delegacione evropiane të Lëvizjeve për Jetën, ndër të cilat ai italian, ai gjerman, kroat e belg.

Tetë milion e gjysëm kubanë votuan dje për parlamentin prej 614 anëtarësh. Dihen rezultatet në një sistem komunist, si ai kuban, ku pjesëmarrja në votime është totale dhe vota për kandidatin në pushtet, Fidel Kastron. Gjithsesi, periudha është mjaft e ndërlikuar, pasi që prej 18 muajsh, vetë Fidel Kastro ia ka besuar drejtimin e vendit të vëllait Raul. Sot, Kuba fillon një javë përkujtimesh për vizitën e Papës Gjon Pali II kryer 10 vjet më parë, nga 21 deri më 26 janar 1998. Në shkurt, do të shkojë në Kubë për të kujtuar ngjarjen edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Bertone.

Shtyhet edhe një herë mbledhja e parlamentit libanez, që duhet të zgjedhë presidentin e Republikës. Takimi i ri është caktuar për në 11 shkurt. Është hera e trembëdhjetë që shtyhet zgjedhja e kreut të shtetit, mandati i të cilit ka skaduar që nga 23 nëntori.







All the contents on this site are copyrighted ©.