Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve: reflektim i Atë Lombardit
(20.01.2008)Dita e tretë e Javës
së lutjes për bashkimin e të krishterëve. Pardje Papa, duke pritur delegacionin ekumenik
të Finlandës, pohoi se është Shpirti Shenjt ai që i udhëheq dishepujt e Jezusit në
rrugën drejt bashkimit të plotë dhe se lutja është ‘porta mbretërore e ekumenizmit’.
Të dëgjojmë për këtë komentin e drejtorit tonë, Atë Federiko Lombardit:
Lutuni
vazhdimisht” – është tema e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve. Sivjet
na kujton njëqindvjetorin e themelimit të tetëditshes së lutjes, që më pas u bë Javë
e u kremtua për herë të parë më 18 deri më 25 janar të vitit 1908. Që asokohe lëvizja
ekumenike ka bërë një rrugë të gjatë, por shpirti i saj mbetet gjithnjë lutja: e kjo,
sepse bashkimi i të krishterëve nuk mund të jetë tjetër, veçse dhuratë e Hyjit, që
duhet kërkuar vazhdimisht e me këmbëngulje.
Nga lutja buron forca për ta lënë
veten në duart e Hyjit, që na pastron e na jep hirin t’i bindemi planit të Tij të
shëlbimit. Lutja e ndryshon mendësinë dhe i ndihmon të krishterët t’i shikojnë të
tjerët si vëllezër, bij të të njëjtit Atë. Lutja edukon e shoqëron, propozon e transmeton
të vërtetën, dritën, jetën, dashurinë, dmth Krishtin, Shëlbuesin e njerëzimit.
Takimi
ekumenik i janarit tashmë është bërë praktikë e përbashkët e të gjitha konfesioneve
të krishtera dhe ka rëndësi të madhe për pajtimin, vëllazërimin e unitetin e të krishterëve,
për realizimin e lutjes së Jezusit: “që të gjithë të jenë një”. Teksti frymëzues i
këtij viti është marrë nga Letra e parë drejtuar Selanikasve (1 Sel. 5,17) dhe ripohon
pikërisht rolin themelor të lutjes në bashkësinë e krishterë: “lutuni vazhdimisht”.
Nënvizon se jeta e bashkësisë së krishterë është me të vërtetë e hareshme dhe e mbarë,
vetëm përmes jetës së lutjes, që kontribuon për rritjen e saj shpitërore, morale,
shoqërore e kulturore dhe ndërton ura dashurie, paqeje e shprese. Bashkimi i thellë
e i vërtetë me Zotin është udha më e sigurtë për të rithemeluar e për të rikrijuar
bashkimin e besimtarëve në Krishtin.