2008-01-21 18:50:27

Eprori i ri i përgjithshëm i Jezuitëve, atë Nikolás: të varfërit presin nga ne lajmin e shëlbimit.


(21.01.2008 RV)“Jemi shërbëtorë të një shëlbimi, që u duhet kumtuar të gjitha kombeve e, sidomos, të varfërve, në mënyrë që, posaçërisht ata, të mund të gjejnë në Hyjin forcën për të vijuar të shpresojnë”. Është një nga shprehjet e mesazhit të fuqishëm që Eprori i ri i Jezuitëve u drejtoi dje pasdite, në Kishën e Jezusit, anëtarëve të Urdhërit, në homelinë e parë që mbajti gjatë Meshës Shenjte, pas zgjedhjes në këtë detyrë të lartë, të shtunën e kaluar.
“Mos i harro të varfërit”. Një lutje, gati-gati përshpëritje, që të prek në shpirt, ndërsa të gjithë për rreth festojnë e përgëzojnë njëri-tjetrin. Një pëshpëritje, e cila bëhet përshëndetja më e rëndësishme për atë që sapo është thirrur të jetë Injaci në shekullin e 21-të. Kjo i ndodhi Eprorit të sapozgjedhur të Jezuitëve, Atë Adolf Nikolás, pas ‘shock’-ut, siç e quajti ai vetë zgjedhjen në krye të familjes rregulltare, themeluar në vitin 1540. Gjatë homelisë së Meshës së tij të parë në detyrën e pasardhësit të 29-të të Shën Injacit të Lojolës, atë Nikolás u foli me zemër të hapur delegatëve të Kongregatës së përgjithshme, për atë që e konsideron themelore në misionin e tij, në vijim të trashëgimisë së lënë nga Eprori i mëparshëm: vëmendjen për emigrantët, për të varfërit në përgjithësi, me të cilët është njohur nga afër posaçërisht në Filipine. “Të varfërit – tha atë Nikolás – duke kujtuar disa biseda që ka bërë me njerëzit në situata të vështira – mund të gjejnë forcë për të vijuar jetën vetëm tek Zoti!”. E ne – vijoi - jemi të thirrur t’u shërbejmë, sepse kjo i pëlqen Hyjit, ndonëse shpesh syri i botës e shikon misionin e krishterë në mënyrë të cektë, sipërfaqësore, pa vëmendjen e duhur:
“Gazetat e revistat po luajnë këto ditë me ‘klishetë’ : ‘papa i zi’, ‘papa i bardhë’, pushtet, takime, diskutime, por e gjithë kjo është sipërfaqësore e kështu, irreale. Është ushqim për ata që e duan politikën, por jo për ne. Izaia thotë: të shërbesh do të thotë ta kënaqësh Hyjin. Eshtë shërbimi ai që ka rëndësi. T’i shërbesh Kishës, t’i shërbesh botës, t’u shërbesh njerëzve, t’i shërbesh Ungjillit!”.
E shërbimi ndaj Ungjillit është mesazh i shëlbimit, ‘mesazhi ynë është mesazh i shëlbimit’ – përsëriti atë Nikolás, duke cituar leximin e Meshës marrë nga Izaia profet. Një mesazh që e ka prekur thellë në zemër për universalitetin e tij:
“Hyji ynë, feja jonë, mesazhi ynë, shëlbimi ynë janë aq të mëdha, sa nuk mund të mbyllen në një enë, në një vend, në një grup, në një bashkësi, madje as në një bashkësi rregulltare. Janë lajme shëlbimi për mbarë kombet. Është mesazh universal, sepse vetë mesazhi është i madh. Eshtë mesazh që nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër”.
Ka kombe popujsh, më shumë se gjeografike - vijoi Atë Nikolás – që kërkojnë ndihmën tonë: të përjashtuarit nga globalizimi, të humburit, të manipuluarit, për të cilët shpëtimi është akoma ëndërr, por që megjithatë janë kandidatët idealë për të marrë ‘lajmin e Hyjit, që u përket të gjithëve”.
“Sepse ajo që ka rëndësi është shëlbimi, gëzimi i të varfërve. Kjo ka rëndësi, kjo është reale, është shpresë, shpëtim, e ne duam që ky shpëtim të përhapet kudo. Të jetë shpërthim shëlbimi: kështu flet Izaia. Të jetë shëlbim që u përket të gjithëve, shëlbim sipas zemrës së Hyjit, vullnetit të tij, Shpirtit të Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.