2008-01-20 17:17:07

Ipeshkvi i Tarbes dhe i Lurdës flet për kremtimet e 11 shkurtit, me rastin e përvjetorit të dukjes së parë mariane në Lurdë


(20.01.2008 RV)“Uroj që francezët ta kuptojnë rëndësinë e 11 shkurtit”. Këtë urim ia bën bashkësisë ipeshkvi i Tarbes dhe i Lurdës, imzot Zhak Perrier, në një intervistë dhënë gazetës katolike franceze ‘La Croix’, me rastin e përvjetorit të dukjes së parë mariane në Lurdë, më 11 shkurt 1858. Prelati kujton se kjo datë përkon me fillimin e vitit jubilar, shpallur për të kremtuar 150 vjetët që kanë kaluar nga dita kur Virgjëra Mari iu duk Bernardetës Subiru, si dhe me Ditën e të sëmurit. Sipas organizatorëve, në kremtimin përkujtimor të kësaj ngjarjeje, pritet të marrin pjesë 40 mijë besimtarë, ndërsa për gjithë vitin jubilar, në Lurdë priten më se 8 milionë shtegtarë.
Sipas programit, në mbrëmjen e së dielës, më 10 shkurt, në Shenjtërore do të kremtohet një proçesion; të hënën, pastaj, do të kremtohet Mesha Shenjte për shtegtarët. Nga ora 11.30 deri në orën 12. 15, në orarin e dukjes së parë të Zojës së Bekuar, do të ketë çaste meditimi e lutjeje. Shenjtërorja është e hapur për të gjithë e ipeshkvi bën thirrje të përfaqësohet çdo provinçë kishtare.
Shtegtarët mund të përshkojnë katër etapat e shtegtimit të tyre jubilar; nga Gurra e Pagëzimit; tek burgu i vjetër; tek ‘le cachot’ - shtëpiza ku banonte familja Subiru e deri te Shpella e tek kapela ku Bernardeta mori Kungimin e parë.Kujtohet, më në fund se Roma në këto ditë do t’i japë shtegtarëve një ndjesë të posaçme, që mund të fitohet duke plotësuar kushtet e paracaktuara.







All the contents on this site are copyrighted ©.