2008-01-20 16:38:15

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(20.01.2008 RV) 20 janar:RealAudioMP3 Feliçita e Perpetua, skllavja e zonja, bashkë në jetë e në martirizim
“Vogëlushja ime! Thesari im! – pëshpërit një grua e re, duke përkëdhelur ëmbëlsisht këmbët e njoma të një vajze topolake, që duket se ka lindur vetëm pak muaj më parë.
“Fli, o bir i nënës, fli, ti engjëlli im!” – këndon një nuse tjetër e re, në sa mëkon me gji foshnjën e sapolindur. Burgu i Kartagjenës duket si repart materniteti. Bëlbëzime, nina-nana, gugatje, buzëqeshje, fjalët më të ëmbla që mund të thotë goja njerëzore, që mund të dëgjojë veshi njerëzor. Ndërmjet të burgosurve janë dy gra me fytyrat që u shkëlqejnë nga gëzimi, dy nëna të reja; foshnjat e tyre të posalindura i mbushin me hare. Nuk lodhen kurrë s’i përkëdheluri me sy krijesat e veta, së luajturi me to. Pastaj nisin e shkëmbejnë këshilla me njëra-tjetrën. Sjellin në burgun e trishtuar, atmosferën e hareshme të jetës, ndonëse mbi to e mbi kokat e gjithë të burgosurve peshon rëndë mendimi i ditës së nesërme, i arenës, i martirizimit. Prandaj, kur zbret nata, Perpetua e Feliçita – kështu quhen dy nënat e reja – bëjnë gjumë të trazuar. Rrotullohen, pa gjetur paqe, mbi kashtën e qelisë. Më shumë zgjohen sesa flejnë. Ankthi rëndon si rrasa e varrit mbi kraharoret e tyre, ku nata gatuan qumështin e ditës së re për foshnjat. Kur zgjohen, dridhen nga frika. Mendojnë për fatin që i pret e tmerrohen. Këto çaste dëshpërimi pafund i bashkojnë edhe më tepër dy gratë e reja. Luten së bashku, që të kenë guximin për ta përballuar këtë provë.
Por ç’provë i pret?
Perpetua e Feliçita nuk janë burgosur sepse kanë bërë ndonjë faj, por vetëm sepse janë të krishtera. Tani, në kohën kur sundon Septim Severi, fati i të krishterëve nuk është aspak për t’u lakmuar: kapen, burgosen, torturohen e mbyten mizorisht në lojrat e cirkut.
Perpetua e Feliçita presin pikërisht ditën e fundit, ditën e cirkut…
Perpetua është bijë e një familjeje nga paria e qytetit të Kartagjenës. I jati ka bërë të pamundurën që ta shpëtojë, por ajo, e vendosur për ta mbrojtur besnikërisht deri në fund fenë e saj, nuk ka pranuar të shesë shpirtin, për të fituar atë, që shumkush e quan liri. Ndërsa Feliçita është skllave, prandaj askush nuk është kujdesur që ta shpëtojë nga burgu e nga cirku. Është skllavja e Perpetuas… para syve të botës, por para syve të Zotit, të dyja gratë tashmë janë bërë motra. Jetuan së bashku, së bashku gëzuan ato pak çaste të kaluara me foshnjat tyre, u lutën së bashku. E së bashku edhe do të vdesin. Ditën kur nisin lojrat në cirk, të dyja hyjnë në arenë dorë- për- dorë për të përballuar vdekjen në emër të Krishtit…Disa vjet më vonë kartagjenasit shikojnë dy fëmijë që shkojnë për t’u lutur para dy varreve të njëllojta. Mbi rrasën e të parit shkruhet emri: ‘Feliçita’, mbi rrasën e të dytit, emri ‘Perpetua’. E po t’i lexosh njëri pas tjetrit: ‘Felicita Perpetua”, krijohet refreni latin, që do të thotë ‘lumni e pasosur!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.