2008-01-20 16:33:18

200 mijë vetë të pranishëm në Engjëllin e Tënzot pas ngjarjes në ‘Sapienca’. Benedikti XVI: të ndërtojmë së bashku një shoqëri vëllazërore e tolerante.


(20.01.2008 RV)RealAudioMP3 “Ju inkurajoj të gjithëve, të dashur universitarë, të respektoni gjithnjë mendimin e tjetrit e të kërkoni, me shpirt të lirë e përgjegjësi, të vërtetën e të mirën”. Me këto fjalë Benedikti XVI përshëndeti turmën vigane, që nisi të mblidhej që në mëngjes nën dritaren e studios së tij, në Sheshin e Shën Pjetrit, për t’i shprehur solidaritetin Papës, në fund të një jave, gjatë së cilës u fol aq shumë për anulimin e vizitës së tij në përurimin vitit akademik të Universitetit ‘La Sapienca’ të Romës, për shkak të protestave të një grupi të vogël profesorësh e studentësh. Pasi, në pjesën e parë të lutjes së Engjëllit të Tënzot, i ftoi të gjithë të luten vazhdimisht, pa u lodhur kurrë, për bashkimin e gjithë të krishterëve, Papa u ndalua tek ngjarja e këtyre ditëve, duke shprehur nderimn e dashurinë për studentët e ‘Sapiencës’ e duke ripohuar se mjedisi akademik, për vetë natyrën e tij, shquhet për kërkimin e së vërtetës, për ballafaqim, për dialog të lirë, që respekton qëndrimet reciproke.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke parë turmën e grumbulluar ndërmjet shtyllave të Berninit e Shpellës monumentale të Betlehemit në mes të Sheshit, iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë:
“Dëshiroj, sidomos, të përshëndes të rinjtë universitarë - që janë shumë e të cilët i falënderoj për praninë - profesorët dhe ju të gjithë, që keni ardhur sot kaq me shumicë në Sheshin e Shën Pjetrit për të marrë pjesë në lutjen e Engjëllit të Tënzot e për të më shprehur solidaritetin tuaj”.
E pikërisht solidariteti, por edhe dëshira për ta dëgjuar këtë fjalë të mohuar ditë më parë në Universitetin ‘La Sapienca’ të Romës, e nxiti turmën të mblidhej poshtë njërës prej dritareve më të famshme të botës:
“E njoh mirë këtë Atené, e nderoj dhe i dua studentët që e ndjekin: çdo vit, në raste të ndryshme, ata vijnë të më takojnë në Vatikan, së bashku me kolegët e universiteteve të tjera. Për fat të keq, siç dihet, atmosfera që u krijua e bëri të papërshtatshme praninë time në ceremoni. E pezullova me keqadhje, por megjithatë dërgova tekstin që kisha përgatitur për këtë rast. Me ambientin universitar, që për shumë vjet ka qenë bota ime, më lidh dashuria për kërkimin e së vërtetës, për ballafaqim, për dialog të lirë, që respekton qëndrimet reciproke”.
E duke pasur parasysh se ky është edhe misioni i Kishës, në impenjmin e saj për të ndjekur besnikërisht Krishtin, Mësuesin e jetës, të vërtetësisë e të dashurisë, Papa e mbylli këtë faqe me një inkurajim…
“Si profesor, si të themi, i dikurshëm, që ka takuar shumë studentë në jetën e tij, ju inkurajoj të gjithëve, të dashur universitarë, të respektoni gjithnjë mendimin e tjetrit e të kërkoni, me shpirt të lirë e përgjegjësi, të vërtetën e të mirën”.
.. e me një urim:
“Ju uroj të gjithëve një javë të mirë. Të ecim me këtë frymë vëllazërimi, dashurie për të vërtetën e për lirinë, në impenjimin e përbashkët për një shoqëri vëllazërore e tolerante. Ju falënderoj të gjithëve!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.