2008-01-19 19:19:00

Papa në Mesazhin për Ditën botërore të të sëmurit 2008: në Eukaristi gjindet kuptimi shëlbues i dhimbjes; në Virgjërën Mari, Nëna që ngushëllon.


(19.01.2008 RV)“Duhen vlerësuar plotësisht”, ndërmjet tjerash, ngjarjet e mëdha kishtare të qershorit 2008-të: kremtimi i 150-vjetorit të dukjeve të Zojës së Bekuar në Lurdë dhe Kongresi eukaristik i Kebekut. Këtë kërkon Benedikti XVI në Mesazhin e tij për Ditën botërore të të sëmurit, që do të kremtohet më 11 shkurtin e ardhshëm, ditë e dukjes së Virgjërës Mari në Shpellën e Masabielës, ku Bernardeta Subiru pa mes shkëmbinjve, ‘Zonjën e Bardhë’. E pikërisht ky vend, që do të bëhej cak lutjesh e simbol shprese për miliona të sëmurë, do të jetë deri më 8 dhjetor të këtij viti, qendër e Jubileut, 150-vjetorit të dukjeve të Zojës së Papërlyer.
Benedikti XVI e përqëndron Mesazhin pikërisht tek lidhja shpirtërore ndërmjet flijimit të Krishtit dhe Nënës së tij.
E për Papën, Misteri eukaristik dhe roli i Marisë në planin shëlbues kanë një lidhje të ngushtë me realitetin e dhimbjes e të vuajtjes së njeriut.Nga njëra anë, Eukaristia e cila, në kundrimin e flijimit të shëlbimit të Krishtit sjell paqen në zemrën e atij që, edhe pse i sëmurë, e jeton me fe dhimbjen e vet. Nga ana tjetër, Zoja e Bekuar, të cilën ai që vuan e konsideron si Nënën e ngushëllimit. Kur mediton për Të – shkruan Papa në Mesazh – i sëmuri merr mësimin e parë: “Të pranojë vuajtjen, të shqiptojë atë ‘po’ që e pati bashkuar Marinë me misionin e Krishtit, shpërblyesit të njerëzimit. Mësimi i dytë është të pranojë që Ajo ta marrë për dore, që të shtojë ‘u bëftë si do Hyji’, për gjithë jetën, e cila është e ngarkuar me gëzime e trishtime, me shpresa e zhgënjime, duke qenë i vetëdijshëm se provat, dhimbja e vuajtja e pasurojnë shtegtimin tonë mbi tokë”. E kjo, pa harruar se Maria nuk mund të kundrohet, në se nuk na tërheq fort Krishti!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.