2008-01-19 17:16:13

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(19.01.2008 RV)19 janar: Mrekullitë e Pagëzimit
Nën qiellin plot yje të një nate Pashkësh, një burrë përgatitet të marrë Pagëzimin. Për të krishterët e Kartagjenës, në Tunizi, kjo ësht, ngjarja më e rëndësishme e vitit.
Ipeshkvi i qytetit i afrohet lumit, bekon ujin dhe e fton burrin të afrohet. I vë dorën në ballë dhe e pyet a beson në Hyjin, që është Atë, në Birin e në Shpirtin Shenjt e a i bie mohit çdo gjëje që e pengon ta jetojë këtë fe. Burri përgjigjet: “Besoj!” e, si ka dhënë këtë gjegje, zhytet në ujin e pastër. Të gjithë të krishterët e pranishëm e shprehin gëzimin duke kënduar së bashku ‘Aleluja!...”.
Por në këtë kohë, aty nga fundi i shekullit II, ka edhe nga ata që s’e kuptojnë fare ç’rëndësi ka të pagëzohesh. Edhe Tertuliani mendon thellë për kuptimin e këtij sakramenti. Në një vend si i tiji, ku bën shumë vapë, uji është pasuri tepër e çmuar. Kur ka ujë, gjithçka lulëzon; kur nuk ka më, gjithçka fishket e zhduket. Në shkretëtirën që shtrihet aty pranë, kush nuk mund të pijë ujë, vdes: uji është jetë.
Uji kalon nëpër tokë, nëpër rërë, nëpër shkëmb e megjithatë, mbetet gjithnjë i pastër. Në fund të pusit është i kulluar, i pandotur, i pijshëm. Kur lahemi me të, e zhduk pluhurin, na pastron e ne ndjehemi më mirë. Na duket sikur rinohemi. Uji pasqyron qiellin e retë, që kalojnë përmbi të.
Për Tertulianin, uji realizon gjithë këto gjëra të mrekullueshme: pasqyron dritën hyjnore, lan udhën e mendimeve më të zeza që mund t’i kalojnë nëpërmend njeriut, pastron frikën. Si një përrua i rrëmbyer, shemb pengesat që njeriu ndërton rreth zemrës së tij, për t’u mbrojtur, duke e rinuar me pasqyrimin e fytyrës së Zotit.
Në Bibël thuhet se uji është gjëja e parë që krijoi Zoti. Është, në një farë mënyre, pasqyra e rinisë së tij. Nganjëherë mbi jetëne tonë bie shumë shi, rrogomisen retë, dynden të gjitha ngjyrat e errta… Ndërsa duke marrë Pagëzimin, jeta jonë bëhet ylber. Çajmë retë e shikojmë dritën e Hyjit. Tertuliani ka shkruar: “Krishti nuk duket kurrë pa ujin”. E shndërron ujin në verë në dasmën e Kanës: është fillesa e lajmit të Mirë. Ecën mbi ujë, u lan këmbët dishepujve, duke treguar se Hyji i gjithëpushtetshëm përkulet përdhe, përulet për njerëzit.
Por më e rëndësishmja është se edhe vetë Jezusi deshi të merrte Pagëzimin. E pikërisht në çastin kur Gjon Pagëzuesi e zhyt në ujin e Jordanit, Hyji dëfton se ai është Biri i Tij i dashur. Për Tertulianin, Pagëzimi bën që në zemrën e njeriut të lulëzojë jeta, të çelë lule e të lidhë fryte. Njeriu ka nevojë për Pagëzimin, që të rritet!







All the contents on this site are copyrighted ©.