2008-01-18 18:51:06

Imzot Sgreçia mbi klonimin e pesë embrioneve njerëzore


(18.01.2008 RV)RealAudioMP3 Dyshime dhe kujdes në bashkësinë ndërkombëtare për lajmin e publikuar në revistën “Stem Cells” se një institut kërkimor-shkencor kalifornian ka klonuar, për herë të parë në histori, pesë embrione njerëzore nga të cilat të merren qeliza staminale, që më pas të përdoren për kura mjekësore. Për klonimin është përdorur e njëjta metodë si për delen Doli. Disa studiues kanë dyshime për eksperimentin dhe janë shumë të kujdesshëm pas shkandullit që shkaktoi një lajm i tillë i rremë, pak vjet më parë në Kore. Në mikrofonin tonë, opinioni i imzot Elio Sgreçës, president i Akademisë Papnore për Jetën:
Mbi klonimin e këtyre pesë embrioneve njerëzore mund të them dy gjëra. E para është se është e pamoralshme, pasi bëhet mbi njeriun. Derisa ishte fjala për një dele, ose për një majmun mund të kishte një motiv shkencor të justifikuar, por mbi qenien njerëzore, klonimi është përdorimi më i keq që mund të mendohet i njeriut si mjet. Njeriu kthehet kështu në objekt kërkimor-shkencor. Përsa i përket justifikimit se prej këtyre embrioneve do të dalin kura, deri tani nuk ka pasur asnjë sukses e gjithsesi, nuk është e drejtë që njeriu të përdoret si ilaç. E dyta, është një fakt kundër historisë. Pasi u provua se qelizat staminale të rritura, të riprogramuara, mund të prodhojnë qeliza të të njëjtit tip si ato embrionale, ky është një produkt i vonshëm. Nuk ekziston pra më as preteksti për të gjetur diçka që tashmë ndodh nëpërmjet rrugëve më të ligjshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.