2008-01-18 17:35:55

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(18.01.2008 RV)18 janar: Blandina, zbutësja e luanëve
Tani të kënaqemi me shfaqjen - mendon Kaio, i ulur ndërmjet spektatorëve. Një vajzë e njomë sapo ka arritur në Lion. Do të jetë ushqim i freskët për bishat e egra...
Si shumë nga bashkëkohasit e tij, Kaio marroset pas lojrave të cirkut: i adhuron ndeshjet ndërmjet gladiatorëve e vrapimin e shfrenuar të karrocave. Por ka ca kohë që ka nisur të ndjekë së afërmi edhe ekzekutimin e të krishterëve. Perandori Mark Aureli ka urdhëruar të arrestohen të gjithë, pa përjashtim, e prandaj kohët e fundit është shtuar numri i shfaqjeve të tilla në të gjitha cirqet. Vasha, që do të shqyhet nga luanët, është skllave. Quhet Blandina. Të ngucur nga turma, xhelatët e lidhin në një shtyllë, vendosur në mes të arenës e hapin kafazet e bishave.
“Urrraaaaa! “ Këlthet turma e tërbuar. Por menjëherë pas brohoritjes, në cirk bie një heshtje varri. Kaio, e bashkë me të shumë të tjerë, që janë përgatitur të ndjekin fundin e tmerrshëm të vashës, mbeten pa zë nga habia. Bishat, në vend që të hidhen për ta copëtuar, i afrohen ngadalë e ulen rreth saj, si të ishin kone.
E pabesueshme! – ulurin Kaio. Shikoni mirë këto egërsira, mos të jenë të droguara.
Xhelatët kanë mbetur si hunj në mes të arenës, të tmerruar. Nuk bëjnë dot asnjë hap përpara nga frika. Në njërën anë, kanë frikë nga luanët; në tjetrën, frikë nga padroni. Rrezikojnë të humbasin bukën e gojës për faj të këtyre të krishterëve të mallkuar!
Blandina rri e lidhur në shtyllë, e rrethuar nga luanët, që nisin të luajnë me të. Si i mbyllin rishtas luanët në kafaz, e zgjidhin dhe e çojnë përsëri, shëndosh e mirë, në burg, ku e presin shumë të krishterë, të paracaktuar si ajo, për ta dëshmuar Krishtin në arenë. Blandina bashkohet me lutjen e tyre. Ia beson Zotit ata që përgatiten të vdesin e i lutet t’u japë forcë për ta përballuar martirizimin. Lutet edhe për ata që i ka lëshuar zemra nga frika e e kanë mohuar fenë: për apostatët, femohuesit. Por falë lutjeve të vëllezërve, shumë prej tyre rikthehen në grigjë e përballojnë me guxim të jashtëzakonshëm martirizimin.
Eshtë dita e fundit e lojrave e Blandina zvarriset përsëri në arenë. Pranë saj është Pontiku, një djalosh 15 vjeç, që dridhet nga frika. Blandina i jep zemër dhe e shoqëron me lutje, në sa trupi i tij coptohet prej dhëmbëve të bishave. E tani vjen radha e saj....
Edhe këtë herë Kaio është mbi shkallare. Ka ardhur të shikojë si do të vdesë zbutësja e luanëve. Por tani nuk e ka entuziazmin e mëparshëm. Kjo vajzë lë pa mend.E burgosura, mbështjellë me një rrjetë, lihet në mëshirën e demave të tërbuar. Duket sikur nuk sheh e as nuk dëgjon ç’bëhet rreth saj. Kaio shikon si vë buzën në gaz. E trondit gjakftohtësia e saj përballë vdekjes... S’ arrin ta kuptojë ku e merr gjithë këtë guxim. Nuk e di se Blandina tani shikon Krishtin, Zotin e saj, që hap krahët për ta pritur...







All the contents on this site are copyrighted ©.