2008-01-17 18:54:48

Keqardhje e përgjithshme për një përurim që nuk u realizua, siç pritej në Universitetin e Romës.


(17.01.2008 RV)RealAudioMP3 Keqardhje e përgjithshme për një përurim që, sipas kryetarit të Bashkisë së Romës, Valter Veltronit, humbi rastin për të dëgjuar një fjalim shumë të rëndësishëm. Kjo atmosferë ndjehej fuqimisht sot në Universitetin e Romës ‘La Sapienca’, ku u kremtua hapja e vitit të ri akademik. Atmosferë e pazakontë: pas qëndrimit armiqësor që e shtyu Benediktin XVI ta anulonte pjesëmarrjen në festën akademike, fjalimi i tij u lexua në sallë nga profesor Marieti. Në përfundim të leximit, fjalët e Papës u përshëndetën me duartrokitje të stuhishme. Si rektori i universitetit, Guarini, ashtu edhe përfaqësia e studentëve, shprehën pakënaqësinë e tyre të thellë për ngjarjet që çuan në këtë epilog të pakëndshëm, të cilit iu shtua edhe një episod tjetër i rëndë: të njëjtat grupe, që manifestuan këto ditë kundër vizitës së Papës në ‘La Sapienca’, sot e bllokuan imzot Enco Dieçin, duke e penguar të hynte në kapelën universitare për të kremtuar Meshën Shenjte.

“Vizita nuk kishte për qëllim të impononte fenë, që mund të dhurohet vetëm në liri, por për të ftuar arsyen të vihet në kërkim të së vërtetës”. Kështu, thënë me dy fjalë, shprehet Papa në fjalimin që duhej ta kishte lexuar para studentëve dhe pedagogëve të universitetit ‘La Sapienca’, duke shpjeguar domethënien e vizitës së anuluar në ateneun romak.
Teksti i plotë i fjalimit, që pëqëndrohet tek lidhja ndërmet fesë e arsyes, u publikua dje pasdite nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
Para botimit, iu dërgua Rektorit të Madh të ateneut, shoqëruar me një letër të sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone. Në këtë letër shpjegohen arsyet për të cilat Papa hoqi dorë nga kjo vizitë. Arsyeja pra, është se, për shkak të një grupi studentësh e profesorësh, përfaqësues të pakicës, nuk u krijuan kushtet e përshtatshme për një vizitë dinjitoze e të qetë.
“Kjo ngjarje tronditi dhimbshëm gjithë qytetin e Romës” - nënvizon në një komunikatë kardinali-vikar, Kamilo Ruini, i cili i shpreh ipeshkvit të tij, Papës, afërsinë e Romës. Hirësia e Tij i fton të gjithë besimtarët romakë të marrin pjesë, të dielën e ardhshme, në lutjen e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, për t’i shprehur Papës afërsinë e tyre shpirtërore.
Edhe presidenti i Republikës italiane, Gjorgjio Napolitano, në një letër drejtuar Benediktit XVI, shpreh keqardhjen e tij të thellë e të sinqertë për ngjarjen.Hidhërimit të shumë studentëve, që do të kishin dëshiruar ta dëgjonin fjalimin nga goja e vetë Atit të Shenjtë, i shtohet edhe keqardhja e, në disa raste edhe indinjata, e shumë profesorëve. Ndërmjet tyre, Gjorgjio Izrael, pedagog i fakultetit të matematikës, që e shprehu këtë keqardhje edhe në mikrofonin e Radio Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.