2008-01-16 16:05:11

Kur Benedikti XVI pati thënë ‘Galileo i madh”.


(16.01.2008 RV)RealAudioMP3 Polemikat mbi vizitën e Papës në ‘La Sapienca’ kanë hapur edhe një herë diskutimin mbi marrëdhëniet e shkencës me fenë si dhe mbi disa fraza të Atit të Shenjtë mbi Galileon. Por ç’mendon në të vërtetë, Benedikti XVI për Galileon? Ta dëgjojmë vetë Papën:
“Galileo i madh ka thënë se Hyji e shkroi librin e natyrës me gjuhën e matematikës. Ai ishte i bindur se Hyji na dhuroi dy libra: atë të Shkrimit Shenjt e atë të natyrës. E gjuha e natyrës – kjo ishte bindja e tij – është matematika, prandaj ajo është gjuha e Hyjit, e Krijuesit”.
Këto janë fjalët që shqiptoi Papa më 6 prill 2006, duke u takuar me të rinjtë në Sheshin e Shën Pjetrit, në përgatitje të Ditës Botërore të Rinisë. Benedikti XVI flet për këtë shkencëtar të madh katolik, që jetoi ndërmjet 1500-tës e 1600-tës, për t’u treguar të rinjve harmoninë ndërmjet shkencës e fesë. Pohon se matematika… është një shpikje e madhe e gjeniale e shpirtit njerëzor, se është kyçi për kuptimin e natyrës, e cila është e strukturuar në mënyrë matematike. Prandaj matematika dhe struktura e universit - shton Papa – përkojnë; e kjo na tregon strukturën e arsyeshme të universit”.
“Tani ekzistojnë edhe teoritë e kaosit, por janë të kufizuara, sepse po të merrte epërsi kaosi, e gjithë teknika do të bëhej e pamundur. Teknika është e besueshme, vetëm sepse është e besueshme matematika. Shkenca jonë, e cila më në fund krijon mundësitë për të punuar me energjitë e natyrës, supozon strukturën e besueshme, të arsyeshme të materies”.
Pas përkimit mahnitës të këtyre dy arsyeve, asaj të shkencës e asaj të strukturës së universit – vijon Papa - duket arsyeja e vetme “më e lartë se të dyja”, duket plani i Krijimit. E në këtë pikë – pohon – ka vetëm dy mundësi: “Hyji ose është ose nuk është”:
”Ose pranohet epërsia e arsyes, e Arsyes krijuese, që është në fillesë të të gjitha sendeve e është zanafilla e të gjithave – përparësia e arsyes është edhe përparësi e lirisë – ose pranohet epërsia e irracionales, sipas së cilës gjithçka funksionon mbi tokën tonë e në jetën tonë, s’është tjetër, veçse fryt i rastësisë, diçka e dorës së dytë, prodhim irracional - e edhe vetë arsyeja qenkej një prodhim i irracinalitetit. Tani nuk mund ta provosh njërin apo tjetrin projekt, por opcioni i madh i krishterimit është për racionalitetin, për epërsinë e arsyes. Ky më duket opcioni më i mirë, që dëshmon se pas të gjithave, ekziston një Arsye e madhe, së cilës mund t’i besojmë”.
Papa e përfundon kështu fjalimin e tij kushtuar Galileos:
“Në se shikojmë opcionet e mëdha, opcioni i krishterë është edhe sot e kësaj dite më i arsyeshmi e më njerëzori. Prandaj mund të hartojmë me besim një filozofi, një vizion të botës, të bazuar mbi përparësinë e arsyes, mbi besimin se Arsyeja krijuese është dashuri e se kjo dashuri është Hyji”.







All the contents on this site are copyrighted ©.