Vazhdon në Itali fushata për pezullimin e aborteve
(15.01.2008 RV)Vazhdon në Itali
fushata për pezullimin e aborteve. Nga ana tjetër, shumë politikanë në favor të këtij
propozimi po impenjohen që komunat të arrijnë marrëveshje me dyqanet e firmat e ndryshme
për të furnizuar me prodhime falas për fëmijët Qendrat e Ndihmës për Jetën. Po a është
pezullimi i aborteve një objektiv që mund të arrihet? Në mikrofonin tonë, Paola Bonci,
presidente e Qendrës së Ndihmës për Jetën në klinikën Manxhagali të Milanos: Besoj
që po, e jam shumë e kënaqur që po flitet për këtë. Prej kohësh po rrinim pak si tepër
urtë. Ne jemi formuar për të dëgjuar gra të panjohura, që ndoshta nuk do t’i takojmë
kurrë më e që na tregojnë për vetminë e për lodhjen e tyre. Nëse kjo lodhje nga jeta
është e tipit ekonomik, ndihma që ne u ofrojmë bën që të vendosin për vazhdimin e
shtatzanisë. Ka persona që nuk i kanë këto probleme, e atëherë fillon një këshillim
njerëzor dhe ekzistencial që i bën gratë të nxjerrin në pah historitë e tyre shpesh
të vështira në familje.
Presidenti amerikan Bush ndodhej sot në Riad,
etapa e parafundit e vizitës së tij në Lindjen e Mesme. Pasi paralajmëroi Iranin që
të mos provokojë në ujrat e Gjirit Persik, duke e kërcënuar se do të ketë pasoja,
Bush i kërkoi mbretit të Arabisë Saudite, Abdullah që të ndërhyjë pranë OPEK-ut për
të ulur çmimin e naftës, e cila ka arritur në nivele shumë të larta. Nga delegacioni
i presidentit amerikan, u largua për një vizitë të papritur në Bagdad, sekretarja
e shtetit, Kondolica Rajs. Qëllimi i saj është t’i shtyjë qeveritarët irakianë të
bëjnë hapa të tjera drejt pajtimit kombëtar, pas ripranimit në jetën publike të ish-drejtuesve
të partisë Baath të Sadam Hyseinit.