2008-01-15 18:13:47

Sot paradite Rektori i ‘La Sapiencës’, Guarini mbi viziten e Papës,"lajmëtar i paqes e njeri me kulturë të gjërë”.


(15.01.2008 RV)RealAudioMP3 Një çast kulture të lartë, ballafaqimi idesh, i frytshëm për të gjithë bashkësinë universitare të ‘La Sapiencës’. Rektori i universitetit e paraqet kështu – në mikrofonin e Radio Vatikanit – vizitën e Benediktit XVI në ateneun romak të enjten e ardhshme. Në intervistën dhënë Radios sonë, rektori i ‘La Sapiencës’, që e ka ftuar Papën, vë theksin mbi rëndësinë e dialogut ndërmjet fesë e arsyes, që e dallon papninë e Benediktit XVI:

Përgjigje: - Unë, personalisht, dhe bashkësia akademike, përgatitemi për ta pritur Papën, që është pa asnjë dyshim, lajmëtar i paqes, por edhe, e sidomos, njeri me kulturë të gjërë e mendim të thellë filozofik. Mundemi, kështu, të ballafaqohemi me të e të dëgjojmë reflektimet e tij.

Pyetje: - Viti akademik përurohet në atmosferën e impenjimit për t’i dhënë fund dënimit me vdekje, temë, kjo, shumë e dashur për Papën, i cili edhe kohët e fundit ka kërkuar të hapet diskutimi publik për shenjtërinë e jetës njerëzore. Ç’mund të bëjë në këtë front bota akademike?

 Përgjigje: - Mund të bëjë shumë, sepse ne jemi edukatorët e breznive të ardhshme. Duhet, prandaj, t’i sensibilizojmë breznitë për këto problematika. E qëllimi i vizitës dhe i ftesës drejtuar Papës, lidhet pikërisht me temën themelore të përurimit të vitit akademik. Dëshiroj që, në përfundim të kremtimit, ose më pas, studentët e ‘La Sapiencës’ të impenjohen për të sensibilizuar studentët e të gjitha universiteteve italiane e ndërkombëtare.

 Pyetje: - Siç dihet, Benedikti XVI ka qenë për një kohë të gjatë profesor universiteti. Me ç’sy e shikojnë profesorët tuaj këtë koleg të jashtëzakonshëm?

 
Përgjigje: -La Sapienca’ është universitet shumë i madh, shumë i ndërlikuar. Natyrisht ka besimtarë, jo besimtarë e përfaqësues të ideologjive të ndryshme. Unë mendoj se të gjithë duhet ta shikojnë Benediktin XVI si njeri kulture e si ish-profesor, pavarësisht nga idetë e tyre. Më duket se këto ditë ndokush ka bërë ca pohime që…. tregojnë se ndoshta nuk i ka lexuar kurrë shkrimet e Benediktit XVI.

 
Pyetje: - E keni fjalën për disa dhjetra pedagogë të ‘La Sapiencës’ që kanë bërë thirrje, përmes një letre, drejtuar pikërisht juve, të ndalohet vizita. Cila është përgjigja juaj?

 
Përgjigje: - Ripohoj se kemi të bëjmë me një pakicë, sepse ‘La Sapienca’ ka 4500 pedagogë. Prandaj mund të them se ata që kanë shprehur pakënaqësinë e tyre në letër, janë një numër i paktë. Unë i respektoj mendimet e të gjithëve, ashtu si dëshiroj edhe t’i ftoj të gjithë të dialogojnë, e sidomos, të bëjnë që arsyeja të sundojë mbi ideologjitë, të cilat tashmë kanë perënduar.

 
Pyetje: - Siç dihet, një nga tiparet e papnisë së Benediktit XVI është impenjimi i tij për ta bërë të frytshëm dialogun ndërmjet fesë e arsyes. Sipas jush, ç’vështirësi e ç’mundësi ka në këtë drejtim?

 
Përgjigje: - Unë jam njeri i arsyes e uroj që me dialog, me thellimin e temave, të arrihet vërtetë në një reflektim të frytshëm. E them këtë, sepse kur të gjithë flasin në mënyrë të përgjithshme – e përsëris se janë njerëz që nuk i kanë lexuar kurrë shkrimet e Papës – atëherë nuk është e vështirë të ketë edhe qëndrime që nisen nga paragjykimet. Prandaj uroj që ky takim të jetë edhe rast për një dialog të frytshëm ndërmjet fesë e arsyes.

 
RealAudioMP3 Ndërkaq në Itali është ndezur debati, i nxitur nga thirrja e 67 pedagogëve të ‘La Sapiencës’, që kanë kërkuar anulimin e vizitës së Benediktit XVI, ndërsa sot paradite, një grup i vogël studentësh pushtoi rektoratin. Mbi këto qëndrime kundër vizitës së Papës - të ndjekim komentin e historianit Enriko Gali della Logjia:

 
Përgjigje: - Toleranca në Itali është akoma një mall shumë i rrallë në mjediset intelektuale. Posaçërisht universitetet në Itali vijojnë të jenë vend ku toleranca nuk praktikohet aq shpesh. Që mund të kishte kundërshtime nga grupe të vogla – e theksoj, shumë të vogla – studentësh, këtë e dinim. Po nuk mund të mos na çudisë pa masë fakti që paska edhe grupe profesorësh, të cilët nuk e ditkan ç’do të thotë të dialogosh.

 
Pyetje: - Nënshkruesit e thirrjes kundër vizitës së Papës kujtojnë një fjalim mbi Galileon, që paska mbajtur kardinali Racinger në vitin 1990. E pastaj ia atribuojnë Papës edhe mendimin e një filozofi agnosticist, cituar nga kardinali. A nuk ju duket se këtu ndjehet fryma e Regensburgut?

 
Përgjigje: - Po, besoj se kemi të bëjmë përsëri me një keqkuptim, nuk e di deri në ç’masë me qëllim të mirë apo të keq, lidhur me citimin e Fejerabend nga ana e Papës. Është fjala për një filozof që shprehte mendimin se qëndrimi i kardinalit Belarmino, dmth i Kishës, ishte më i arsyeshëm se ai i Galileos i cili, si të gjitha zbulimet, i kundërvihej opinionit të kohës së tij. Më duket se Papa e bën këtë citim për të dëshmuar se gjykimet, edhe kur bëhen në bazë të parimit të arsyes, mund të jenë të gabuara, siç qe gjykimi i Belarminit kundër Galileos.

 
Pyetje: - Ndokush këto ditë nuk po përton të përsëritë teoremën e kundërvënies ndërmjet Gjon Palit II “mikut të shkencës” e Benediktit XVI ‘reaksionarit”. Si ju duket kjo përpjekje për t’ia kundërvënë një papë - tjetrit?

 
Përgjigje: - Besoj se nga pikëpamja historike është mjaft e çuditshme, sepse të gjithë e dinë që këshilltari kryesor i Papës Gjon Pali II, ai që, ndërmjet tjerash, e këtë mund ta themi qetësisht, sepse kishte të bënte pikërisht me funksionet e tij – ka shkruar shumë pjesë të enciklikave e të fjalimeve të Gjon Palit II, ishte pikërisht kardinali Racinger. Të mendosh, tani, se kishte kontraste doktrinore ndërmjet tyre, më duket vërtetë pa kurrfarë baze historike.

 
RealAudioMP3 Mbi polemikat rreth vizitës së Papës në ‘La Sapienca’ të Romës, foli edhe imzot Rino Fizikela, rektor i Universitetit Lateranens, gjatë paraqitjes së librit ‘Kriza e politikës dhe qeveria e prodhuesve’, të senatorit italian Domeniko Fizikela, pranë ateneut papnor:
Përgjigje: - Më duket se ka shumë dritëshkurtësi - e edhe më shumë paragjykime, në këtë këndvështrim. Mund të mendoj gjithçka, veç s’mund të mendoj kurrë që një universitet, një mjedis akademik, mund të mos jetë vend i hapur për dëgjimin e të gjitha instancave të pranishme në shoqëri. Për këtë ka lindur universiteti, që të mund të ballafaqohen qëndrimet tuaja me ato të të tjerëve. E në se kemi të bëjmë me pengesa ose në se ka ndonjë paramendim mbi praninë katolike, më duket se ata që bëjnë gjeste të kësaj natyre, vetpërjashtohen. Më duket, prandaj, se gjithë kjo nuk i përshtatet vetë natyrës së Universitetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.