2008-01-14 18:11:48

Rifilluan në Jeruzalem negociatat izraelito-palestineze. Bush dhe Sarkozì në Lindjen e Mesme


(14.01.2008 RV)RealAudioMP3 Filluan sot paradite negociatat e paqes ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, që do të përpiqen të zgjidhin problemet kryesore të konfliktit: kufijtë e ardhshëm të shtetit palestinez, problemin e kolonëve izraelitë, çështjen e Jeruzalemit dhe atë të refugjatëve. Objektivi i presidentit amerikan Bush, i cili sot ndodhet për vizitë në Lindjen e Mesme, është që paqja të arrihet brenda këtij viti. A është e mundur kjo? Në mikrofonon tonë Enio Di Nolfo, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Firences në Itali:
Të gjitha problemet ngrenë çështje që janë jashtëzakonisht të ndërlikuara. Le të marrin njërin, ndoshta më të rëndësishmin. Zakonisht thuhet se Izraeli duhet të tërhiqet në kufijtë e vitit 1967 e pra, duhet të reduktojë jashtëzakonisht sipërfaqen e vet. Por ç’do të thotë “në kufijtë e vitit 1967”, para apo pas luftës së atij viti? Nëse është para luftës së 1967-ës do të thotë të tërhiqet në kufijtë e vitit 1948, të cilat janë pak të ndryshme nga ato që i patën dhënë fund përkohësisht luftës ndërmjet Izraelit dhe botës arabe nga maji në gusht 1949. Janë kufij që e rrisin mjaft territorin izraelit.
Problem tjetër është ai i organizatës islamike Hamas, e cila ka pushtuar Rripin e Gazës. Është i mundur një dialog me presidentin Abu Mazen?
Do të jetë një dialog shumë i vështirë. Dikur ndërmjet Hamasit dhe Abu Mazenit ekzistonte një marrëvëshje për formimin e një qeverie të përbashkët. Fakti që kjo qeveri nuk u krijua kurrë tregon vështirësitë që has kjo detyrë. Presidenti amerikan Bush kërkon dy shtete që të mos kenë lidhje ndërmjet tyre, por nëse mund të ndërtohet të paktën një korridor artificial, zgjidhja mund të gjendet, përndryshe ajo largohet edhe më shumë.

Presidenti amerikan Bush dhe ai francez Sarkozi ndodhen që të dy në Lindjen e Mesme. Pas vizitës në Dubai, sot Bush u transferua në Riad të Arabisë Saudite, ku do të qëndrojë deri nesër për të kërkuar mbështetje për planin e paqes izraelito-palestinez, por edhe për të nxitur Mbretin Abdallah të ndërmarrë inciativa që izolojnë programin bërthamor iranian.
Presidenti francez u largua nga Riadi pak para ardhjes së presidentit Bush, për të shkuar në Katar dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Duket qartë përpjekja për të armatosur Arabinë Saudite. Bush deklaroi se do t’i shesë asaj armë për 20 miliard dollarë, ndërsa Sarkozì shpalli marrëveshje në fushën ushtarake dhe energjitike për 60 miliard euro.







All the contents on this site are copyrighted ©.