Presidenti italian: Gjendja e Kosovës e ndërlikuar
(14.01.2008)Çështja e Kosovës ka qenë në qendër të bisedimeve ndërmjet presidentit
italian Xhorxho Napolitano dhe homologut të tij slloven, Daniel Turk në Ljubljanë.
“Çështja e pavarësisë së Kosovës – deklaroi Napolitano – diskutohet konrektisht, por
nuk janë bisedime të thjeshta, kanë shumë kundërshti”. Deklarata e pavarësisë, vazhdoi
ai, nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet e Kosovës. Presidenti italian nuk deshi
të përcaktojë afate, por theksoi nevojën që zgjidhja të jetë e pranueshme nga të 27-të
vendet evropiane. Edhe më i rëndësishëm se afati, për Napolitanon është misioni civil
dhe policia evropiane, që do të vendosen në Kosovë për të luajtur rolin e moderatorit
dhe të stabilizatorit.Ndërkaq, Serbia ka shpallur sot se ka një plan reagimesh politike
nëse Kosova do të shpallë pavarësinë, por pa specifikuar qartë se cilat janë ato. Më
pas,presidenti italian dhe ai slloven theksuan se një nga prioritetet më urgjente
të semestrit slloven në Bruksel, është afirmimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi
i të drejtave njerëzore, shoqërore, civile dhe fetare kudo në Evropë. Dialogu ndërkulturor,
tema e këtij viti për Bashkimin Evropian, mund të bëhet me sukses vetëm mbi këtë bazë.
OSBE-ja
në Kosovë vë theksin mbi mbrojtjen e pakicave. Për këtë është folur në takimin
ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe komisarit të lartë të OSBE-së për pakicat
etnike, Kurt Folebek në Prishtinë. Sipas këtij të fundit, sido që të jetë statusi
përfundimtar i Kosovës, vendi duhet të jetë atdheu i të gjitha bashkësive etnike.
Ligji në fuqi është shumë i përshtatshëm për mbrojtjen e pakicave, nënvizoi Folebek,
por ai duhet zbatuar në mënyrë shembullore për t’u bërë i besueshëm. Sipas planit
të Ahtisarit, mbi bazën e të cilit pritet të shpallet pavarësia e Kosovës, serbëve
u garantohet vetëqeverisje lokale në disa komuna, mbrojtja e trashëgimisë historike
e kulturore si dhe mbajtja e lidhjeve me Beogradin.