2008-01-14 18:12:00

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës


ttp://www.archivioradiovaticana.va/storico/ALB/2008/01/files/audio/ra/00099442.RM#Netia_Fn#14 janar: Një mjek bën hetime mbi Jezusin.
Si ta shpjegosh të pashpjegueshmen? Pasi takon Palin në portin e vogël të Troades, Luka e kupton se në botë ndjehet një frymë e re. Në emër të atij Jezusit, vdekur mbi kryq, por gjithnjë gjallë, burra e gra, në të katër anët, bëjnë një kthesë të çuditshme në rrugën e jetës. Qarkullojnë libra, që tregojnë historinë e Jezusit, shkruar nga Mateu e nga Marku. Por Luka dëshiron të dijë diçka më shumë. Eshtë mjek, njeri i ditur e nuk mund ta pranojë, pa e vërtetuar, atë që tregohet. Vendos, prandaj, të shkojë tek ata që e njohën nga afër Jezusin. Kur arrin në Jeruzalem, gjen atje shumë dëshmitarë, të cilët e kujtojnë pikë për pikë ngjarjen e çuditshme. Tregojnë pa ngurrim: “Jezusi u arrestua, u gjykua nga priftërinjtë, u paraqit para Pilatit, u vu në kryq e u varros. Disa gra, ndërmjet të cilave edhe Maria, e ëma, shkuan te varri në sa shkrepte agimi i Pashkëve... E atje zbuluan diçka të pabesueshme: Jezusi është gjallë!
Dy të krishterë nga Emausi treguan se, ndërsa ktheheshin prej Jeruzalemit, një njeri u bashkua me ta e e përshkuan gjithë udhën duke biseduar me të. E si arritën në një bujtinë e u ulën për të ngrënë një kafshatë, shoku i udhës theu bukën. Sapo e panë këtë gjest, sytë e tyre u hapën e e njohën: Ishte ai, Krishti! Ishte vërtetë i gjallë, vërtetë në mes tyre”.
Në se fundi i jetës së Jezusit qe kaq i jashtëzakonshëm, si duhet të kishte qenë fillimi? Lindja? Hapat e para? E kush ishin prindërit e tij? Thua edhe vitet e para të jetës së tij ishin po kaq të jashtëzakonshme?
Luka niset të takojë Marinë, e cila i flet për të kushërirën, Elizabetën e për Gjon Pagëzuesin, të birin. I tregon se në fillim, para se të niste rrugën e vet, Jezusi kishte ndjekur Gjon Pagëzuesin. Ndërsa për praninë e Hyjit, që ndriçonte gjithë personin e të birit, Maria nuk di ç’të thotë. Po pyetjet e Lukës vijojnë si breshër:
“Pse ishte zgjedhur pikërisht ajo?
Ç’mund të thoshte për fëmijërinë e të birit?
Jezusi kishte kaluar një fëmijëri të zakonshme?
E lindja e tij?”
Lindja sigurisht duhet të kishte qenë e jashtëzakonshme. Jezusi kishte lindur në një stallë e barinjtë që ruanin grigjët atypari, kishin shkuar për ta parë së bashku me delet e qengjat e posalindur. Lukës iu kujtua një fragment nga Libri i Izaisë profet: “Kau e njeh të zotin e gomari grazhdin e zotërisë së vet.... Një fëmijë lindi për ne, na u dhurua një djalë”. Luka mrekullohet nga gjithë kjo thjeshtësi, nga kjo ngjarje gati-gati e rëndomtë. Ajo që po zbulon, përkon plotësisht me fjalët që thotë Pali për Zotin: “Për t’u pranuar nga njerëzit, Krijuesi i botës u bë i përvujtë. U zhduk, deshi të bëhej një nga ne, të jetonte si ne”. Ungjilltari-hetues vërteton edhe shumë ngjarje e hollësi të tjera. Merr, atëherë, puplën, e nis t’i rreshtojë të gjitha mbi letër...







All the contents on this site are copyrighted ©.