2008-01-13 17:00:43

Në Festën e Pagëzimit të Zotit, Benedikti XVI u dha sakramentin e parë të krishterë 13 foshnjave.


(13.01.2008 RV) RealAudioMP3 “Të jeni për ta dëshmitarët e parë të fesë së vërtetë në Hyjin”: me këto fjalë iu drejtua Benedikti XVI prindërve në Festën e Pagëzimit të Zotit, me të cilën përfundoi Koha e Krishtlindjes. Në kornizën mahnitëse të Kapelës Sikstine, Papa kryesoi sot paradite kremtimin eukaristik, gjatë të cilit pagëzoi 13 foshnja, bij të nëpunësve të Vatikanit. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot u bëri thirrje të rinjve emigrantë për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë.
Ishte festë e jetës, e familjes, që u theksua edhe më shumë nga notat e bukura muzikore të Kapelës Papnore, por edhe nga gugatjet e të posalindurve, tetë vajza e pesë djem. Tepër i gëzuar ishte sot Papa, në sa u jepte – për të tretën herë - sakramentin e parë të jetës së krishterë foshnjave, pikërisht në ditën e Pagëzimit të Zotit, ‘një nga çastet më shprehëse të fesë sonë” – siç theksoi Benedikti XVI në homelinë e Meshës – në të cilin gjejmë misterin e jetës, të jetës njerëzore, që përfaqësohet nga foshnjat e të jetës hyjnore, të cilën Hyji ua jep të pagëzuarve.
“Hyji është jetë” - kujtoi Ati i Shenjtë, duke treguar pikturat e Kapelës Sikstine, ku kremtoi ritin nga elteri i lashtë, i mbështetur pas murit, poshtë Gjyqit të Fundit të Mikelanxhelos, i rrethuar nga bukuria dhe harmonia e këtij brilanti arkitektonik.
Në këtë ditë – tha Benedikti XVI - nuk na duket pa vend të kujtojmë, pranë e pranë me përvojën e jetës, edhe të kundërtën e saj, dmth realitetin e vdekjes:
”Gjithçka që fillon në tokë, heret a vonë edhe mbaron, si bari i fushës, që shpërthen në agim e fishket në muzg”.
Vetëm me Pagëzimin marrim një jetë të re, që na bën të aftë të hyjmë në lidhje personale ne Krijuesin për amshim, por për fat të keq – vërejti Papa – njeriu, duke mëkatnuar, është i zoti të shkaktojë një vdekje të dytë, që nuk është thjeshtë fund i jetës tokësore, si mbarimi i krijesave, të cilat nuk janë të thirrura për të gëzuar amshimin:
“... në ne mëkati krijon një humnerë, që rrezikon të na gëlltitë përgjithmonë, në se Ati që është në qiell nuk na shtrin dorën. Ja, vëllezër të dashur, ky është misteri i Pagëzimit: Hyji deshi të na shpëtojë, duke shkuar ai vetë deri në fund të fundit të greminës së vdekjes”.
E bëri këtë, që çdo njeri, edhe ai që ka rënë aq poshtë, sa të mos mund ta shikojë më qiellin, ta gjejë dorën e Zotit, të kapet pas saj e të ringrihet nga errësira për të parë rishtas dritën, për të cilën është krijuar:
“Të gjithë e ndjejmë, të gjithë e perceptojmë shpirtërisht se ekzistenca jonë është dëshirë e jetës që kërkon plotësi, që lyp shpëtim. Kjo plotësi e jetës na jepet në Pagëzim”.
Më pas, duke iu drejtuar prindërve, Benedikti XVI i porositi t’ua transmetojnë fëmijëve virtytet e tyre teologale: fenë, shpresën e dashurinë, tipike për jetën e re, që dhurohet në sakramentin e Pagëzimit. Fëmijët kanë nevojë për prani, për ngrohtësi, por kryesisht për lutje, në çdo stinë të jetës.
“Natyrisht për t’u rritur të shëndoshë e të fortë, këta djem e vajza do të kenë nevojë për kujdes material e vëmendje të madhe: por më e nevojshme, madje e domosdoshme, është ta pranojnë Zotin e t’i shërbejnë besnikërisht, për të pasur kështu jetën e pasosur. Prindër të dashur, të jeni për ta dëshmitarët e parë të fesë së vërtetë në Hyjin!”.
Kjo ishte porosia e fundit e Papës i cili, pasi kreu kremtimin në Kapelën Sikstine, u duk në dritaren e bibliotekës së tij private mbi Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Engjëllit të Tënzot, për të cilën do të flasim në emisionin e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.