2008-01-13 17:01:03

Ishin të rinjtë, sot, protagonistët e Ditës botërore të emigrantit e të refugjatit.


(13.01.2008 RV)Vetë Papa deshi që sivjet t’u kushtohet vëmendje e veçantë të rinjve mërgimtarë, që largohen nga vatrat e tyre me ose pa dashje.
“Përgatituni për të ndërtuar, pranë bashkëmoshtarëve tuaj, një shoqëri më të drejtë e më vëllazërore, duke i kryer me kujdes e seriozitet detyrat tuaja ndaj familjes e ndaj shtetit”. Këtë u kërkon Papa të rinjve emigrantë në mesazhin e tij për Ditën botërore të emigrantit dhe të refugjatit, që u kremtua sot e që u intereson të gjitha vendeve të botës.
Ndërsa studentët besimtarë, të cilët për arsye studimi jetojnë larg shtëpisë, Benedikti XVI i nxit në mënyrë të veçantë të thellojnë dijet e dashurinë për Krishtin dhe i porosit: “Duke ardhur nga kultura të ndryshme, por të bërë një, sepse i përkisni së njëjtës Kishë të Krishtit, mund të tregoni se Ungjilli është i gjallë e i përshtatshëm për çdo situatë”.
Kujtojmë se Dita e emigrantit dhe e refugjatit u themelua në vitin 1914 nga Papa Piu X, në vitet e mërgimit të madh të italianëve drejt Amerikës, por edhe në prag të Luftës I Botërore, gjatë së cilës Papës së ri, Benediktit XV, iu desh të kujdesej shumë për refugjatët që vërshuan nga të katër anët. Që atëherë Kisha nuk pushoi s’u interesuari për fenomenin e emigracionit në të gjitha fushat: etike, kulturore, asistenciale, shoqërore e politike. E tani Benedikti XVI u bën thirrje institucioneve shtetërore, por edhe bashkësive kishtare të kujdesen më shumë për emigrantët, posaçërisht për mërgimtarët e rinj, numri i të cilëve shtohet gjithnjë më shumë në botën e globalizuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.