2008-01-13 17:23:08

Imzot Mamberti: të mbrohet liria fetare duke luftuar kundër kristianofobisë, islamofobisë dhe antisemitizmit.


(13.01.2008 RV)Selia e Shenjtë nuk bën diplomaci për interesa të tipit politik ose ekonomik, por për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut, ndërmjet të cilave – qëndrore – liria për praktikimin e fesë. Mbi këto argumente foli kryeipeshkvi Dominik Mambertì, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, në Konferencën e mbajtur në Universitetin Papnor të Shenjtes Krygjë në Romë.
Konferenca ishte tepër aktuale, sepse e lidhur me fjalimin që Benedikti XVI i drejtoi pak ditë më parë Trupit Diplomatik, akredituar pranë Vatikanit.
“Mbrojtja e së drejtës të lirisë fetare në veprimtarinë aktuale të Selisë së Shenjtë” – ishte tema e konferencës, e për këtë mbrojtje – vazhdimisht në qendër të vëmendjes së Papës e të përfaqësuesëve të tij nëpër botë - foli imzot Mambertì, duke pohuar qartë se liria fetare është një e drejtë e domosdoshme, me përmasa private, publike e institucionale. Mbrojtja e lirisë fetare – siç ka thënë Gjon Pali II - është letër lakmusi për të vërtetuar edhe respektimin e të drejtave të tjera. Në se dhunohen liria e shprehjes dhe praktikimi i fesë, vërejti sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, sulmohet baza e respektit për të gjitha të drejtat e tjera: prandaj mund të themi se kur është në rrezik liria fetare, të gjitha të drejtat e tjera lëkunden në themel.
Duke pasur parasysh organizatat ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara ose Organizatën për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), imzot Mambertì nënvizoi se ata kanë si detyrë themelore të mbrojnë lirinë dhe tolerancën fetare, posaçërisht për t’iu kundërvënë çdo lloj forme të diskriminimit e të persekutimit. Por, që kjo të gjejë shprehjen e vet në luftën për realizimin e objektivave konkrete e të mos mbetet vetëm në letër, duhet luftuar çdo shfaqje e urrejtjes kundër të krishterëve apo kristianofobia; kundër myslimanëve-islamofobia e kundër hebrenjve-antisemitizmi.Në mënyrë të veçantë kristianofobia – shpjegoi prelati – është një tërësi qëndrimesh që flasin për mungesë edukimi e për mosnjohje, për intolerancë e persekutim, posaçërisht të ndjeshme në epokën tonë, në të cilën veçimi i fesë nga arsyeja, e lidh të parën me sferën e ndjenjave, duke e shkëputur nga sfera publike. Mbrojtja e lirisë së fesë, do me thënë e stabilitetit dhe sigurisë në veprimtarinë e bashkësisë së krishterë, përbën nervin e veprimtarisë diplomatike të Selisë së Shenjtë. Së fundi prelati foli edhe për dialogun ndërmjet feve e kulturave. Ky dialog mund të realizohet – përfundoi imzot Mambertì - vetëm në se nuk hiqet dorë nga e vërteta dhe në se nismat ndërkombëtare realizohen me vetëdijen se fetë kanë gjithnjë karakteristika të veçanta e të ndryshme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.