2008-01-13 17:02:24

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(13.01.2008 RV) RealAudioMP3 13 janar:Jam i pushtuar nga Jezu Krishti”.
Jemi në vitin 62 e të krishterët e Romës jetojnë në ankth të vazhdueshëm. Neroni perandor, mizor e tekanjoz, tashmë nuk e fsheh urrejtjen e thellë kundër tyre. Kur të krishterët mblidhen për t’u lutur, mundohen ta ngushëllojnë e ta trimërojnë njëri-tjetrin. E dinë mirë se çdo ditë mund të jetë për ta dita e fundit. Por në këtë kohë kaq të turbullt, gëzojnë një dhuratë të madhe: Pali është mes tyre. Pasi e kaloi jetën me kokën gjithnjë në rrezik, që prej dy vjetësh jeton në Romë. Të krishterët kënaqen duke e dëgjuar kur rrëfen historitë e shtegtimeve të tij plot të papritura të tmerrshme.
“Judenjtë më fshikulluan në kamzhik pesë herë rresht: 36 goditje për secilën herë; tri herë të tjera më rrahën me zinxhirë, një herë mend më mbytën me gurë, pastaj varka me të cilën udhëtoja u fundos e unë mbeta në mëshirën e valëve të tërbuara një ditë e një natë, derisa u kapa në breg, gjysëm i vdekur. Shtegtime të panumërta, rreziqe në kapërcyell lumenjsh, sulme hajdutësh, rreziqe nga bashkatdhetarët, rreziqe nga paganët, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det, rreziqe nga ana e vëllezërve të rremë; lodhje e trazime, netë pa gjumë, uri e etje, agjërime të vazhdueshme, vapë e acar”.
Të krishterët s’ia ndajnë sytë buzëve të Palit e, duke dëgjuar tregimin e tij, marrin zemër për ta përballuar të ardhmen, që premton vetëm mundime. Ndonëse tashmë i njohin hollësisht peripecitë e shtegtimet e tij, nuk lodhen s’e dëgjuari, përsëri e përsëri. Ngjarja e Efezit, për shembull, i bën të qeshin, sa herë që përsëritet. Në Efez paganët adhuronin perëndeshën Artemis. Para tempullit jetonin mjeshtrat që punonin shtatore të perëndeshës. Pali ia doli mbanesh të kthente në fenë e krishterë aq shumë efezianë, sa s’mbeti më askush që t’i blinte shtatoret. Gdhendësit, të tërbuar nga kjo e papritur, ngritën krye kundër Palit, e do ta kishin mbytur, po të mos ishte fshehur në kohën e duhur. Të tubuar rreth këtij heroi, që s’e njeh frikën, të krishterët përgatiten, së bashku me të, të përballojnë edhe vdekjen, po të jetë nevoja. E dinë se Pali nuk ka qenë kurrë kaq në rrezik sa tani, që është mes tyre, ndonëse duket krejt i qetë. I lindur në Tars, një nga qytetet e perandorisë, ai duket i sigurtë në Romë, i mbrojtur nga nënshtetësia e tij romake. Po Neroni, tirani, nuk përfill kurrfarë ligji. Është mbi çdo ligj. Është vetë ligji. Pali ka siguruar liri të kushtëzuar e, ditën kur perandori të kërkojë kokën e tij....Një vit më pas, në 63-shin, Neroni vendos t’i shfarosë të krishterët. Aventurat e Palit marrin fund. I bëhet vetëm një lëshim, si nënshtetas romak: nuk do të kryqëzohet, por do t’i pritet koka. Por edhe pas vdekjes, guximi i tij e bën Kishën të pamposhtur. Tashmë është përgatitur shpirtërisht për t’i bërë ballë edhe persekutimeve më të tmerrshme. Asgjë në botë nuk mund ta mposhtë. Falë Palit, Apostullit të popujve, feja është përhapur shumë larg nga vendi ku jetoi Jezusi.







All the contents on this site are copyrighted ©.